
Ngjarja që tronditi Tiranën pranë shkollës Fan Noli ku mbeti i vdekur 14-vjeçari Martin Cani pas një sherri me thika, vijon të jetë kryefjalë e çdo media në vend. Ngjarja vijon të jetë ende nën hetim, ndërsa në procesverbalin e mbajtur nga oficeri i policisë gjyqësore theksohet se prokurori e ka pasur të pamundur të ndërhyjë urgjentisht për të bërë vlerësimin e tyre. Edhe pse situata ka qenë e rëndë, organi i akuzës nuk ka qenë aty, por ka drejtuar hetimet paraprake.
“Meqënëse ka rrezik që ato të ndryshojnë apo humbasin dhe për shkak të pamundësisë së Prokurorit për të ndërhyrë urgjentisht për të bërë vlerësimin e tyre në vendin e ngjarjes, në mbështetje të nenit 300/2 të K. Pr. Penale...”, thuhet ndër të tjera në procesverbalin e OPGJ-së.
I habitshëm është fakti se si në një ngjarje të tillë me pasoja të rënda, prokurori i çështjes e ka pasur të pamundur të jetë prezent. Por, çfarë parashikon legjislacioni shqiptar?
Neni 24 i Kodit të Procedurës Penale tregon detyrat e prokurorit, ku parashikohet të drejtojë hetimet paraprake dhe të vleftësojë provat e mbledhura nga policia gjyqësore. Por, pikërisht ky nen parashikon se kur është e nevojshme, prokurori kryen ose urdhëron veprime hetimore në vendngjarje dhe mbikëqyr veprimet e policisë gjyqësore.
Shumë pikëpyetje për këtë ngjarje që ka tronditur mbarë opinionin publik, ku ditë pas dite, po dalin në dritë fakte të reja. Dhe në një moment kur ligji parashikon se kur është e nevojshme prokurori duhet të jetë në vendngjarje, si është e mundur që ai e ka pasur të pamundur për të qenë aty? Sepse legjislacioni e thotë qartë që ai mbikëqyr veprimet e policisë gjyqësore, në rastet kur është e nevojshme.
E ndofta pikëpyetja më e madhe është se ngjarja nuk është vlerësuar me rëndësinë dhe përmasat që ka marrë tani, duke qenë se mund të dalin shumë fakte të reja në dritë duke ndryshuar dhe drejtimin e hetimeve. Megjithatë pritet deri në fund të mësohet përfundimisht se çfarë ka ndodhur atë ditë të 18 nëntorit ku një jetë e re u pre në mes dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë në Spitalin Ushtarak.