Muçi Shaljani, i njohur ndryshe si Sheqeri, agjent pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore mbeti i plagosur rëndë në atentatin mafioz që tronditi mesditën e së martës zonën pranë rrethrrotullimit të aeroportit të Rinasit, ku humbi jetën Gilmando Dani, ish-bos krimi dhe person i afërt me Emiljano Shullazin.
Ngjarja cilësohet si një nga më të organizuarat e viteve të fundit, jo vetëm për profilin e viktimës, por edhe për faktin që atentati u krye vetëm pak metra larg portës kryesore të aeroportit ndërkombëtar të vendit.
Sipas të dhënave, Shaljani dhe Dani kishin udhëtuar bashkë më herët drejt Barcelonës, ndërsa ndodheshin sërish në shoqërinë e njëri-tjetrit në momentin e atentatit. Shoqërimi i një agjenti të AMP-së me një person me dosje të theksuar kriminale ka ngritur alarmin në radhët e institucioneve ligjzbatuese.
Klodiana Lala bën përmes një postimi në Facebook me dije se Muçi Shaljani është rekrutuar në mënyrë të parregullt, pa ndjekur procedurat standarde të pranimit, me një kontratë të përkohshme të firmosur në shtator. Në atë periudhë, kryeministri Rama kishte “shkarkuar” formalish drejtuesin e atëhershëm të AMP-së, Florian Sulejmanin, pas një debati për largimin e një punonjësi të strukturës në Vlorë. Detyrën e drejtimit e mori përkohësisht zv.drejtori Artjol Saliasi, nën administrimin e të cilit u bënë disa rekrutime të diskutueshme, përfshirë edhe atë të Shaljanit.
Megjithëse i ardhur pa konkurs, Shaljani ka arritur të pajiset edhe me certifikatë sigurie, një dokument që duhet lëshuar vetëm pas verifikimeve nga institucionet përkatëse, përfshirë AKSIK – një procedurë që tashmë është nën hetim.
Pas emërimit në krye të AMP-së të Eduart Merkajt, një zyrtar me karrierë të gjatë në Policinë e Shtetit, janë zbuluar disa mangësi serioze në strukturë. Dy ditë para atentatit, Merkaj kishte urdhëruar verifikimin e të gjithë punonjësve të Agjencisë, përfshirë edhe të Shaljanit, si pjesë e një procesi të brendshëm pastrimi institucional.
Kjo masë, sipas burimeve nga brenda AMP-së, ishte kërkuar prej kohësh, pasi gjatë drejtimit të mëparshëm janë rekrutuar persona pa eksperiencë policore, me kontrata të përkohshme dhe me profile të dyshimta.
Burime të afërta me hetimin theksojnë se procesi i verifikimit do të jetë vendimtar për fatin e agjencisë, e cila është hallka kryesore për hetimin e korrupsionit dhe përfshirjes së efektivëve të policisë në aktivitete kriminale.

