Hapësire reklamuese

Aktualitet

"Policia nuk ka përgjegjësi brenda gjykatave", gazetari kap "mat" Ministren e Brendshme, Albana Koçiun: Po jashtë që shëtiste i armatosur?!

Shkruar nga Newsbomb
"Policia nuk ka përgjegjësi brenda gjykatave", gazetari kap
Në foto: Gjyqtari i vrarë Astrit Kalaja

U desh vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja që të kuptohej sesa e nevojshme është ndryshimi i ligjit për armëmbajtjet pa leje në Kodin Penal, që ministrja e Brendshme t’i sqaronte publikut që Policia e Shtetit nuk ka përgjegjësi për sigurinë brenda gjykatave, apo që duhen rritur standardet e sigurisë, sidomos në institucionet që janë vetë gardianë të së drejtës dhe ligjit.

Gazetari Osman Stafa ka reaguar i revoltuar pas deklaratave publike të kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Brendshme Albana Koçiu. Kjo e fundit tekstualisht shkoi se “Forcat e Policisë së Shtetit - të cilat duhet sqaruar për opinionin publik se në bazë të ligjit nuk kanë asnjë përgjegjësi për kontrollin e hyrje-daljeve dhe sigurinë brenda godinave të gjykatave - kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje.”

Gazetari e ka cilësuar këtë deklaratë skandaloze, pasi policia dhe forcat e sigurisë, nuk kanë dështuar së funksionuari vetëm brenda Gjykatës së Apelit, por edhe jashtë saj pasi Elvis Shkambi ka lëvizur i armatosur dhe në rrugët e Tiranës.

Ndër të tjera, gazetari ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për nxitjen e urrejtjes dhe të një klime negative ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve pas sulmeve publike ndaj figurave të ndryshme lidhur me vendimet e marra prej tyre.

Reagimi i gazetarit Osman Stafa:

Gjyqtari Astrit Kalaja u vra sot, brenda sallës së Gjykatës së Apelit.

Një nga ngjarjet më të zeza në 35 vite.

Sepse kur një gjyqtar ekzekutohet në mes të detyrës, në zemër të një institucioni që përfaqëson ligjin, nuk është thjesht një vrasje, është goditje ndaj vetë shtetit.

Në një vend ku gjyqtari vritet brenda sallës së gjyqit, është një vend që po shembet përbrenda.

Por sot, i pari që duhej të kishte heshtur për ngjarjen, është Kryeministri Edi Rama.

Ai prej kohësh frymëzon urrejtje ndaj gjyqtarëve e prokurorëve. Ai që prej kohësh i sulmon, i akuzon për vendime të padrejta dhe i nxjerr publikisht si fajtorë, duke ushqyer një klimë urrejtjeje ndaj drejtësisë. Kur vetë kryeministri i vendit delegjitimon gjyqtarët, ai frymëzon ata që mendojnë se drejtësia merret me dorë.

Por vetëgjyqësia nuk është zgjidhje.

Nëse Apeli jep vendim kundër teje, ka Gjykatë të Lartë. Pastaj ka Kushtetuese. Dhe në fund, ka edhe Strasburg.

Një tjetër reagim skandaloz erdhi nga Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, e cila tha se policia “nuk ka përgjegjësi brenda gjykatave.”

Po mirë, ai personi që shëtiste i armatosur jashtë gjykatës, kush duhej ta ndalte?

Policia është për të parandaluar, jo për të ardhur pasi ndodh krimi.

Kur drejtësia sulmohet nga politika, dhe shteti justifikohet pas tragjedive, kur ministrat lajnë duart dhe përgjegjësia kthehet në fjalë boshë, atëherë nuk kemi më demokraci, kemi vetëm një shtet të rënë.

Ngushëllime familjes!

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese