Policia ka dhënë informacion zyrtar në lidhje me ngjarjen e shënuar në Shkodër, ku në ambientet e një lokali u ekzekutua Elis Rroshkodoli.
Policia njofton se një person i paidentifikuar ka vrarë me armë zjarri 36 vjeçarin, i cili më pas është larguar nga vendi i ngjarjes në këmbë.
Duket se viktima i druhej ndonjë atentati, pasi edhe ai qarkullonte me armë me vete. Në njoftimin e policisë thuhet se grupi hetimor ka gjetur në çantën e dorës të 36-vjeçarit një armë zjarri pistoletë me fishekë në fole gati për qitje.
Informacion paraprak
Rreth orës 12:30, në lagjen “Ahmet Haxhia”, në një lokal, dyshohet se një shtetas i paidentifikuar ka vrarë me armë zjarri shtetasin E. Rr., rreth 36 vjeç, banues në Shkodër.
Me marrjen e njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe drejtuesit e Drejtorisë dhe të Komisariatit të Policisë Shkodër.
Në ndihmë të Policisë Vendore kanë shkuar dhe dy grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër dhe janë vënë në ndjekje të autorit.
Gjithashtu është ngritur një grup hetimor i cili ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën intensive në bashkëpunim me Prokurorinë, për sigurimin e provave për dokumentimin ligor të kësaj ngjarjeje.
Nga veprimet paraprake në vendin e ngjarjes, grupi hetimor ka gjetur në çantën e dorës të 36-vjeçarit E. Rr., 1 armë zjarri pistoletë me fishekë në fole gati për qitje.