Policia ka ngritur postoblloqe dhe po ushtron kontrolle në aksin Levan-Tepelenë, për të gjetur ndonjë gjurmë të autorëve të masakrës me tre viktima dhe një të plagosur në Memaliaj.
Burime për media bëjnë me dije se në makinën e djegur të autorëve janë gjetur edhe armët që janë përdorur në atentatin ndaj fisit Kalemi, ku humbi jetën Shyqyri Kalemi, kamerieri Gledio Muka dhe klienti Marsel Çela, ndërsa mbeti i plagosur Artur Kalemi.
Në makinën e autorëve janë gjetur 3 kallashnikovë, me të cilët autorët kanë qëlluar me breshëri plumbash drejt lokalit, ku qëndronte “shënjestra” e tyre, fisi Kalemi, ndërsa plumbat kapën dhe kamerierin e klientitn duke i shkaktuar vdekjen.
Nga një rindërtim i ngjarjes thuhet se vëllezërit Kalemi ishin ulur në një tavolinën, ndërsa ngjitur me ta ka qenë edhe Muka.
Atentati kishte për shënjestër anëtarët e familjes Kalemi, por breshëri e plumbave i mori jetën dhe dy personave që s’kishin asnjë lidhje me sagën e vrasjeve mes familjes Kalemi dhe Papa. Njëri ishte duke bërë punën si kamerier, ndërsa tjetri po shijonte një pije në këto net te nxehta vere.
Marsel Çela 47 vjeç, klient në lokalin ku ndodhi atentati dhe Gledian Muka 36 vjeç, janë dy viktimat e pafajshme të kësaj masakre në Memaliaj.
Autorët me një makinë të zezë kanë shkuar jashtë lokalit ku qëndronte babai i Andea Kalemit, Shyqyri Kalemi dhe xhaxhai, Artur Kalemi dhe kanë qëlluar me breshëri plumbash.
Një nga pistat që po hetohet është hakmarrja mes familjes Kalemi dhe Papa. Përplasja e cila ka nisur që në vitin 2022 pas vrasjes së Aleksanër Sadikaj.
Dyshohet se autorët e kësaj vrasje kanë qenë tre, të dyshuar si vrasës me pagesë. Ka dyshime se porosia për këtë atentat mund të ketë ardhur nga Dubai.

