Drejtoria e Policisë së Tiranës përmes një reagimi zyrtar njoftoi më herët se 19 protestues ranë në prangat e autoriteteve pas tensioneve të krijuara një ditë më parë, ku jashtë ambienteve të Kuvendit të Shqipërisë pati përplasje mes forcave të Rendit dhe qytetarëve, përplasje të cilat u përshkallëzuan pasi këta të fundit sulmuan deputetët dhe policët në krye të detyrës.
Personat e arrestuar janë:Besnard Kaimi, Aristotel Elezaj, Gentjan Progni, Durim Bami, Kujtim Pervataj, Romarjo Dushi, Ardit Ymaj, Niko Qarkaj, Ylli Shima, Ervis Gjoni, Frrok Bardhi, Rezart Pirani, Admir Tershalla, Alban Nikolli, Elvis Biçi, Altin Hila, Ervin Gega, Everes Bardhi dhe Arbër Lleshaj.
Sipas Policisë së Shtetit, personat e arrestuar akuzohen për një sërë veprash penale, përfshirë “shkatërrim prone”, “kundërshtim të punonjësit të policisë”, “goditje për shkak të detyrës”, “prishje të rendit dhe qetësisë publike”, “organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme”, “mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe “pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Mirëpo pas shoqërimit në ambientet e komisariatit, një pjesë e protestuesve të arrestuar kanë pretenduar fillimisht se janë ndaluar padrejtësisht, duke mohuar çdo përfshirje në aktet e dhunës gjatë tubimit përpara Kuvendit. Ata kanë deklaruar se “nuk kam qenë unë”, “nuk kam goditur efektivët” apo “nuk kam hedhur gurë”, duke u distancuar kategorikisht nga incidentet e regjistruara.
Por burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se qëndrimet e tyre kanë ndryshuar pasi janë përballur me pamjet filmike të sekuestruara nga kamerat e sigurisë dhe ato të transmetuara gjatë protestës, ku disa prej tyre identifikohen në aktet e dhunshme ndaj policisë dhe dëmtimit të automjetit të Policisë së Shtetit.
Në këtë moment, sipas të njëjtave burime disa prej të arrestuarve kanë pranuar praninë e tyre në vendngjarje, por kanë tentuar të minimizojnë përgjegjësinë, duke pretenduar se “nuk e dinin çfarë kishin në duar” apo se “nuk e kuptonin nëse ishin gurë apo objekte të tjera”. Deklaratat e tyre kanë vijuar me kontradikta të njëpasnjëshme, ku fillimisht kanë mohuar çdo veprim, më pas kanë pranuar pjesëmarrjen, por jo aktet e dhunës banditeske ndaj forcave të Policisë.
Hetuesit theksojnë se përballja me pamjet filmike ka qenë vendimtare në dokumentimin e rolit të secilit prej tyre, duke i vendosur të dyshuarit përballë një panorame të qartë të veprimeve të kryera gjatë përplasjes.
Ndërkohë që hetimet vijojnë edhe për identifikimin e disa personave të tjerë, të cilët dyshohet se janë përfshirë në veprime të dhunshme gjatë protestës, autoritetet bënë me dije gjithashtu më herët se gjatë tubimit u plagosën 15 punonjës policie, të cilët morën ndihmën e nevojshme mjekësore në Spitalin e Traumës.
Çfarë ndodhi dje:
-Përplasjet nisën që në mëngjes, rreth orës 09:00, përpara se të fillonte seanca plenare, në momentin kur deputetët mbërritën në ambientet e Kuvendit. Protestuesit hodhën vezë dhe miell në drejtim të automjeteve dhe deputetëve socialistë, ndërsa situata u tensionua menjëherë.
-Një grup protestuesish arritën të çajnë kordonin e sigurisë, duke hyrë në një ambient pranë Akademisë së Shkencave, nga ku vijuan të hedhin vezë në drejtim të deputetëve. Policia ndërhyri duke shoqëruar disa prej tyre.
-Një tjetër tentativë për të depërtuar drejt Kuvendit u regjistrua nga krahu i "Resë", duke surprizuar forcat e rendit. Policia ngriti menjëherë gardhe metalike për të bllokuar avancimin e protestuesve, ndërsa situata degradoi në hedhje vezësh dhe sendesh të forta ndaj efektivëve.
-Automjetet e zyrtarëve u vunë në shënjestër. Mjeti i kryetarit të Kuvendit u godit me vezë dhe miell, ndërsa edhe automjete të tjera u sulmuan gjatë hyrjes dhe daljes së deputetëve nga Parlamenti.
-Dhuna u përshkallëzua, teksa një grup protestuesish kaluan nga hedhja e vezëve në akte dhune. U përdorën gurë dhe gardhe metalike për të goditur automjetet e Policisë së Shtetit, duke thyer xhamat e mjeteve policore.
-Policia reagoi menjëherë duke përdorur ujë me presion dhe spray lotsjellës për të shpërndarë turmën dhe për të krijuar mundësinë e largimit të ministrave dhe deputetëve, të cilët deri në atë moment ishin të bllokuar brenda perimetrit të Kuvendit.
-Qytetarët bllokuan daljet e Kuvendit, duke krijuar një kordon përpara automjeteve të zyrtarëve. Për pasojë, disa mjete u detyruan të tërhiqeshin dhe të riktheheshin brenda rrethimit të sigurisë, ndërsa pjesa më e madhe e deputetëve dhe ministrave u larguan nga një itinerar alternativ.
-15 efektivë policie mbetën të lënduar gjatë këtyre përplasjeve, ndërsa edhe disa qytetarë pësuan lëndime.
-Përveç përballjes me policinë, gjatë protestës pati edhe tensione mes vetë protestuesve. Një debat verbal degradoi në konflikt, ndërsa një protestuese u ndje keq dhe u transportua me autoambulancë për të marrë ndihmë mjekësore.
-Edhe mbërritja e disa figurave publike, kryesisht Adriaitk Lapajt, në protestë u shoqërua me debate, pasi një pjesë e qytetarëve kërkuan që tubimi të mos politizohej dhe të mbetej i fokusuar te kauza e protestës. Megjithatë pas përplasjeve Lapaj vijoi të qëndronte në protestë.
View this post on Instagram

