Policia e Tiranës ka dalë me një njoftim zyrtar pas përplasjeve të regjistruara një ditë më parë ku dhjetëra qytetarë u mblodhën jashtë ambienteve të Kuvendit duke sulmuar deputetët e si rrjedhojë nuk munguan as përplasjet me forcat blu.
Mësohet se si rrjedhojë janë arrestuar në flagrancë 19 shtetas, ndërkohë që janë proceduar penalisht 12 persona të tjerë.
Këta shtetas akuzohen për veprat penale “Shkatërrim prone”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishje e rendit dhe e qetësisë publike”, “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Mosbindje ndaj urdhrit të ligjshëm të punonjësit të policisë” dhe “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Po ashtu mësohet se është duke u punuar për identifikimin e gjashtë shtetasve të tjerë të cilët nga pamjet filmike janë dokumentuar se kryenin veprime të dhunshme.
“B. K., 35 vjeç; A. E., 24 vjeç; G. P., 36 vjeç; D. B., 32 vjeç; K. P., 46 vjeç; R. D., 30 vjeç; A. Y., 40 vjeç; N. Q., 43 vjeç; Y. Sh., 52 vjeç; E. Gj., 39 vjeç; F. B., 56 vjeç; R. P., 35 vjeç; A. T., 34 vjeç; A. N., 35 vjeç; E. B., 45 vjeç; A. H., 35 vjeç; E. G., 23 vjeç, E. B., 20 vjeç”, njofton policia se këta janë të arrestuarit, ndërkohë që shton se në pranga ka rënë dhe një 35 vjeçar i cili ka goditur një gazetar.
Ndër të tjera Policia njofton se gjatë tubimit mbetën të plagosur 15 punonjës policie të cilët morën mjekimin e nevojshëm në Spitalin e Traumës, ndërkohë që protestuesit “nuk kursyen” as automjetin e policisë të cilin ashtu sikurse dhe e raportuam një ditë më parë e dëmtuan duke e qëlluar me gurë dhe gardh metalik.
Njoftimi i Policisë:
Kundërshtuan dhe goditën me sende të forta punonjësit e Policisë, dëmtuan një automjet policie si dhe sulmuan deputetët e Kuvendit të Shqipërisë gjatë tubimit të zhvilluar dje, arrestohen 19 shtetas.
Procedohen penalisht 12 shtetas.
Vijon puna për identifikimin dhe të 6 shtetasve të tjerë që janë dokumentuar me pamje filmike për veprime të dhunshme.
Gjatë tubimit u dëmtuan 15 punonjës policie dhe një automjet policie.
Në vijim të veprimeve procedurale të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në lidhje me tubimin e zhvilluar dje pranë Parlamentit, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
-B. K., 35 vjeç; A. E., 24 vjeç; G. P., 36 vjeç; D. B., 32 vjeç; K. P., 46 vjeç; R. D., 30 vjeç; A. Y., 40 vjeç; N. Q., 43 vjeç; Y. Sh., 52 vjeç; E. Gj., 39 vjeç; F. B., 56 vjeç; R. P., 35 vjeç; A. T., 34 vjeç; A. N., 35 vjeç; E. B., 45 vjeç; A. H., 35 vjeç; E. G., 23 vjeç, E. B., 20 vjeç.
Si dhe shtetasi A. Ll., 35 vjeç, pasi ka goditur një gazetar.
Gjithashtu, u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit: F. D., 63 vjeç; Sh. B., 33 vjeç; V. D., 29 vjeç; E. Gj., 38 vjeç; T. T., 43 vjeç; E. A., 31 vjeç; G. S., 20 vjeç; R. D., 30 vjeç; A. M., 39 vjeç; M. J., 47 vjeç, A. G., 47 vjeç dhe A. K., 22 vjeçe.
Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprat penale “Shkatërrim prone”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishje e rendit dhe e qetësisë publike”, “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Mosbindje ndaj urdhrit të ligjshëm të punonjësit të policisë” dhe “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Çfarë ndodhi dje:
-Përplasjet nisën që në mëngjes, rreth orës 09:00, përpara se të fillonte seanca plenare, në momentin kur deputetët mbërritën në ambientet e Kuvendit. Protestuesit hodhën vezë dhe miell në drejtim të automjeteve dhe deputetëve socialistë, ndërsa situata u tensionua menjëherë.
-Një grup protestuesish arritën të çajnë kordonin e sigurisë, duke hyrë në një ambient pranë Akademisë së Shkencave, nga ku vijuan të hedhin vezë në drejtim të deputetëve. Policia ndërhyri duke shoqëruar disa prej tyre.
-Një tjetër tentativë për të depërtuar drejt Kuvendit u regjistrua nga krahu i "Resë", duke surprizuar forcat e rendit. Policia ngriti menjëherë gardhe metalike për të bllokuar avancimin e protestuesve, ndërsa situata degradoi në hedhje vezësh dhe sendesh të forta ndaj efektivëve.
-Automjetet e zyrtarëve u vunë në shënjestër. Mjeti i kryetarit të Kuvendit u godit me vezë dhe miell, ndërsa edhe automjete të tjera u sulmuan gjatë hyrjes dhe daljes së deputetëve nga Parlamenti.
-Dhuna u përshkallëzua, teksa një grup protestuesish kaluan nga hedhja e vezëve në akte dhune. U përdorën gurë dhe gardhe metalike për të goditur automjetet e Policisë së Shtetit, duke thyer xhamat e mjeteve policore.
-Policia reagoi menjëherë duke përdorur ujë me presion dhe spray lotsjellës për të shpërndarë turmën dhe për të krijuar mundësinë e largimit të ministrave dhe deputetëve, të cilët deri në atë moment ishin të bllokuar brenda perimetrit të Kuvendit.
-Qytetarët bllokuan daljet e Kuvendit, duke krijuar një kordon përpara automjeteve të zyrtarëve. Për pasojë, disa mjete u detyruan të tërhiqeshin dhe të riktheheshin brenda rrethimit të sigurisë, ndërsa pjesa më e madhe e deputetëve dhe ministrave u larguan nga një itinerar alternativ.
-15 efektivë policie mbetën të lënduar gjatë këtyre përplasjeve, ndërsa edhe disa qytetarë pësuan lëndime.
-Përveç përballjes me policinë, gjatë protestës pati edhe tensione mes vetë protestuesve. Një debat verbal degradoi në konflikt, ndërsa një protestuese u ndje keq dhe u transportua me autoambulancë për të marrë ndihmë mjekësore.
-Edhe mbërritja e disa figurave publike, kryesisht Adriaitk Lapajt, në protestë u shoqërua me debate, pasi një pjesë e qytetarëve kërkuan që tubimi të mos politizohej dhe të mbetej i fokusuar te kauza e protestës. Megjithatë pas përplasjeve Lapaj vijoi të qëndronte në protestë.

