Denis Meçe, autori i dyshuar i vrasjes së shtetasit Egli Proga në Pogradec, ka ofruar përmes avokatit të tij 10 milionë lekë të vjetra si garanci pasurore, që të mos qëndrojë pas hekurave deri në përfundim të hetimeve. Ai ka kërkuar falje, por ka sqaruar se nuk ka dashur ta vriste 42 vjeçarin.
Siç rezulton në dosjen e përgatitur nga Prokuroria e Korçës, Denis Meçe ka treguar se ditën e ngjarjes ka qenë në lokal nga ora 15:00 duke pirë. Më pas, rreth orës 18:00 ka ardhur Egli Proga. Pasi janë zënë për cigaren, Meçe ka dalë jashtë, por sipas tij viktima "ka vijuar ta ofendojë”.
Report Tv ka siguruar disa pjesë nga dëshmia e tij, ku autori i dyshuar tregon zanafillën e sherrit dhe largimin nga vendi i ngjarjes, “Axhensia”, tek rrethrrotullimi, lagja nr.2 në Pogradec, për të fjetur në makinë në fshatin Buçimas. Deklaron Denis Meçe:
"Duke qenë kjo situatë, që ai vazhdonte nga brenda të shante, unë kam hyrë brenda dhe i kam thënë "ore çfarë ke që shan" por ai ka vazhduar sërisht të shajë dhe unë i kam thënë "po hajde pak jashtë të flasim". Ai më tha "po hajde se çfarë do më bësh, do më hash k..in" dhe kemi dalë jashtë. Unë kam dashur t'i fus një shpullë ta qetësoja, por sa i jam afruar kam ngritur dorën, ai është rrëzuar në tokë dhe nuk u ngrit më. Mua nuk më është besuar hiç dhe pasi jam frikësuar nga situate, jam larguar. Dua të them se unë kisha gjithë ditën që konsumoja alkool dhe me sa pashë edhe ai ishte i dehur."
Në vendimin e zbardhur të datës 13 gusht të Gjykatës së Korçës, Denis Meçe ka treguar se kur i ka dalë gjumi, ka telefonuar avokatin dhe i ka kërkuar që ta çonte në Komisariatin e Policisë Pogradec, sepse donte të jepte deklarimet e tij në lidhje me ngjarjen. Deklaron Denis Meçe:
"Rrugës për në fshatin Buçimas kam ndaluar makinën time në krah të rrugës dhe kam fjetur, pasi isha i dehur, kur më ka dalë gjumi. mora në telefon avokatin, duke i thënë se çfarë kishte ndodhur, pasi kisha merak dhe ai më tha që personi i dëmtuar kishte ndërruar jetë. Në këtë moment i kam thënë avokatit "eja më merr dhe më shoqëro për në komisariat sepse dua të jap deklarimet time". Dua të theksoj se nuk kam patur konflikte me personin e dëmtuar, as nuk kam patur njohje me të, nuk kam patur qëllim për të sjellë këtë pasojë, por edhe nuk kam patur qëllim që t'i shkaktoj asnjë lloj dëmtimi. kam dashur vetëm t'i tërheq vëmendjen, por ai ishte në gjendje aq të dehur sa me zor e mbanin këmbët".
Në seancën gjyqësore avokati ka thënë se 29 vjeçari ka pasur vullnet për të dhënë shpjegime për atë që ka ndodhur pasi ai nuk ka pasur për qëllim të kryejë vrasjen e babait të dy fëmijëve, shtetasit Egli Proga. Deklarohet në dosjen hetimore:
"Avokati Eduart Muçi deklaroi në gjykatë se klienti I tij Denis Meçe nuk ka pasur për qëllim t'i fshihet drejtësisë largimi i tij menjëherë pas ngjarjes ka qenë i pavullnetshëm dhe në kushtet kur ka qenë i dehur. Ai ka fjetur në automjet derisa është përmendur, ka telefonuar atë si avokat, dhe pasi i është shpjeguar se çfarë kishte ndodhur, vetë i ka kërkuar për ta shoqëruar për në Komisariatin e Policisë. Vullneti i tij ka qenë për të dhënë shpjegime në lidhje me sa ka ndodhur, pasi ai nuk ka pasur për qëllim të kryejë vrasjen e një shtetasi, dhe as të largohet, pavarësisht se pasoja është e rëndë dhe kemi të bëjmë me humbjen e një jete."
Denis Meçe ka kërkuar që të mos mbahet në burg deri në përfundim të hetimeve, por të dërgohet në "Arrest në shtëpi", dhe për këtë përmes avokatit ai i ka ofruar gjykatë një garanci pasurore në vlerën e 10 milionë lekëve të vjetra. Deklarohet në dosjen hetimore:
"Sipas mbrojtjes, arrestimi në flagrance i këtij shtetasi duhet të cilësohet si i ligjshëm, por kërkohet që ndaj këtij shtetasi të caktohet një tjetër masë sigurimi, e ndryshme nga arresti në burg, mbajtur parasysh marzhin e dënimit që parashikon dispozita, rrethanat e kryerjes së veprës penale, mënyrën si ka ndodhur ngjarja, qëndrimin e personit nën hetim, faktin që nuk ka qenë i dënuar më pare, faktin që nuk ekziston mundësia për t'u larguar apo për t'iu fshehur drejtësisë, faktin që nuk ka mundësinë e dëmtimit apo prishjes së provave. Kërkohet nga gjykata që të caktohet si masë sigurimi "arrestin në shtëpi" parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale ose "Garancia pasurore" në shumën 1.000.000 lekë, e cila është një vlerë e konsiderueshme dhe i garanton gjykatës që nëse ky person i fshihet drejtësisë dëmi ekonomik do të jetë tepër i madh."
Autori i dyshuar i krimit që ka tronditur opinionin publik prej fundjavës së kaluar, ka kërkuar ndjesë para togave të zeza dhe ka thënë se është i keqardhur për atë që ka ndodhur, por ai vetë nuk ka pasur për qëllim ta dëmtojë dhe aq më tepër ta vrasë të Eglin. Deklarohet në dosjen hetimore:
"Vetë shtetasi nën hetim Denis Meçe deklaroi se është dakord me sa parashtroi avokati. Ai kërkon ndjesë dhe është tepër i keqardhur për sa ka ndodhur, pas ai nuk ka pasur për qëllim ta dëmtojë dhe aq më tepër ta vrasë të ndjerin."
© Newsbomb.al