Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka folur për mediat, pasi nuk u lejua të hynte në Kuvend për të marrë pjesë në seancë plenare të kësaj të enjteje.
Ai ka pretenduar se vendimi për të mos marrë pjesë në seancë, sipas tij, është marrë pasi sot do të shkojë në Kuvend kryeministri Edi Rama.
Shehaj ka akuzuar Taulant Ballën, se vendimin e ka marrë ai, pasi ka marrë parasysh që herë e fundit pati përplasje mes Ramës dhe tij.
Po ashtu ai është ndalur edhe te protesta që po zhvillohet për 54 ditë në vend, Shehaj ka theksuar se ajo nuk do ndalet pavarësisht pengesave.
“Sot është parashikuar të vijë edhe Edi Rama. Duke pasur parasysh se si shkoi herën e fundit përplasja mes meje dhe Edi Ramës, Taulant Balla është kujdesur që Edi Rama sot të mos ketë asnjë problem, në mënyrë që të vijnë, të shkojnë dhe të vazhdojnë teatrin që kanë bërë. Ndërkohë, prej 54 ditësh protestohet pothuajse dy muaj, dhe qytetarët shqiptarë dalin në protestë duke kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës dhe të kësaj klase politike të korruptuar. Ndërsa këta çfarë bëjnë? Mblidhen në Kuvend, fshihen si minj, përdorin policinë. Pavarësisht këtyre padrejtësive, ne do të vazhdojmë të protestojmë dhe të bëjmë opozitë, pa u dorëzuar. Nuk na e mbyllin dot gojën. Çdo ditë do të vazhdojmë t’ua përplasim në fytyrë vjedhjet dhe korrupsionin e tyre. Do të tregojmë se si kanë hyrë në këtë sallë, në këtë Kuvend, me xhepat bosh, pa asnjë kokërr leku, ndërsa sot bëjnë një jetë milionerësh”, shprehet Shehaj.
