Të tjera detaje kanë dalë në dritë lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi sot në fshatin Kurjan të Roskovecit. Vëllezërit, ndonëse fillimisht u raportuan si kushërinj, sipas banorëve të zonës, ishin vërtet vëllezër, por Vladimiri ishte rritur nga xhaxhai i tij.
Konflikti kulmoi kur Altin Kuka, 49 vjeç, babai i njërit prej fëmijëve të përfshirë në grindje, u takua me vëllezërit në qendër të fshatit, në lokalin e Gramoz Kurtaj. Banorët tregojnë se të tre kishin marrëdhënie të mira dhe shpesh pinin kafe së bashku. Edhe autori i krimit, Altin Kuka, sipas banorëve, ishte rritur nga të afërmit.
Pas një përplasjeje fizike dhe sharjeve, Kuka, i cili kishte automjetin pranë, mori një armë automatike dhe qëlloi drejt dy vëllezërve. Gramozi humbi jetën në vend, ndërsa Vladimiri ndërroi jetë më vonë në spitalin e Fierit. Pas ngjarjes, Kuka u dorëzua në policinë e Fierit, duke dorëzuar edhe armën e krimit.
Policia ka mbërritur në fshat për të hetuar shkaqet dhe për të parandaluar një përplasje të mundshme midis dy fiseve. Banorët janë të tronditur nga ngjarja, duke theksuar se ky veprim nuk mund të justifikohet dhe se ngjarje të tilla nuk janë të zakonshme në fshatin e tyre.
