Hapësire reklamuese

Aktualitet

Një dekadë në sistemin e drejtësisë dhe 2 vite në Gjykatën e Posaçme, kush është gjyqtarja që liroi Sali Berishën

Shkruar nga Newsbomb
Një dekadë në sistemin e drejtësisë dhe 2 vite në
Ilustrim: Gjyqtarja e posaçme Flojera Davidhi

Flojera Davidhi është gjyqtarja e posaçme që ka vendosur këtë të mërkurë të lirojë nga arresti shtëpiak ish-kryeministrin Sali Berisha. Pas gati një viti i izoluar në apartamentin e tij te "Rruga e Salës", Gjykata e Posaçme ka vendosur të rrëzojë masën e sigurisë për Sali Berishën.

Lideri demokrat ndodhej në "Arrest në shtëpi" prej 30 Dhjetorit 2023, kur Gjykata e Posaçme vendosi t'i kufizonte Sali Berishës lirinë, në kushtet kur ai nuk pranoi të paraqitej vullnetarisht përpara togave të zeza për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit "Partizani".

Një dekadë në sistemin e drejtësisë dhe 2 vite në
Disa nga anetaret e Gjykates se Posaçme, me ish-ambasadoren Kim (arkive)

Kush është gjyqtarja Flojera Davidhi

Flojera Davidhi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2014 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Tiranës, u emërua gjyqtare në Gjykatën e Korçës. Në tetor 2019, Davidhi u komandua për një periudhë 2-vjeçare si këshilltare ligjore pranë Njësisë Mbështetëse të komisioneve në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Ndërkohë, dy vite më pas, ajo ka kaluar me sukses procesin e vettingut. Trupi gjykues i KPK, i kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Etleda Çiftjan dhe anëtar Roland Ilian arritën në përfundimin se Davidhi kishte arritur nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë dhe të figurës si dhe nivel kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme Elka Ermenkova.

Një dekadë në sistemin e drejtësisë dhe 2 vite në
Gjyqtarja Flojera Davidhi në seancë dëgjimore. Foto: Edmond Hoxhaj

Gjyqtarja Flojera Davidhi mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës. Gjithashtu u konstatua se ajo ka aftësi të mira profesionale, organizative, se ka etikë në punë dhe aftësi personale.

Në seancë u evidentua se ndaj Davidhit ishin kryer katër ankesa pranë Ministrisë së Drejtësisë gjatë periudhës 2018-2020, të cilat janë arkivuar. Edhe në denoncimet e kryera prej publikut nuk u konstatuan probleme.

Një vit pas kalimit me sukses të procesit të vettingut, në 22 Tetor 2022, gjyqtarja Flojera Davidhi ka marrë dritën jeshile për t'u emëruar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Prej dy vitesh, ajo ushtron detyrën në këtë institucion të drejtësisë.

© Newsbomb.al

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese