Ditën e sotme në Himarë po zhvillohen zgjedhjet pët kryebashkiakun e ri, ku në garë janë kandidatët Vangjel Tavo i Partisë Socialiste dhe Petro Gjikuria i opozitës.
Deri në orën 11:00 në zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e bashkisë së Himarës, pjesëmarrja është 17.26%, më e lartë se në zgjedhjet e 14 majit.
Por shumë votues deri tani nuk janë lejuar të votojnë, për shkak se kartat e tyre të identitetit kanë qenë të skaduara. Lidhur me këtë situatë ka reaguar, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile.
Në një shkresë zyrtare përcjellë KQZ, Drejtoria e Gjendjes Civile thotë se e kemi konstatuar paregullsinë mbi qendrat e votimit në Himarë, por për shkak të kohës së pamjaftueshme në dispozicion, ishte i pamunduar rregullimi i tyre.
“Koha e pamjaftueshme, nga moment i dekretimit të datës së zgjedhjeve në Bashkinë Himarë për kryetar bashkie, deri në gjenerimin e listës së zgjedhësve, e ka bërë të pamundur rregullimin e kësaj çështje dhe sistemimin e të dhënave të qendrës së votimit, sipas të dhënave të anëtarëve të familjes”, - thuhet në shkresë.
KQZ reagoi më herët duke thënë se nuk është organi kompetent për shtyrjen e afateve të vlefshmërisë të dokumenteve të identifikimit.
“Për zgjedhësit mbi 75 vjeç vlefshmëria e dokumenteve të identifikimit është pa afat. Kështu përcaktohet në ligjit nr. 89/2020, datë 09/07/2020 ‘Për një shtesë në ligjin nr. 8952, datë 10.10.2002 “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë, i ndryshuar’”, - sqaron KQZ.

