Një tjetër incident është regjistruar këtë të diel në qytetin e Pogradecit, ku procesi i votimit është shoqëruar me tensione të larta. Ngjarja ka ndodhur pranë qendrës së votimit të vendosur në shkollën 9-vjeçare “Muhamer dhe Esat Minarolli”, ku sipas burimeve paraprake, është shënuar një përplasje fizike mes disa personave.
Dëshmitarë në vendngjarje bëjnë me dije se incidenti ka ndodhur jashtë ambienteve të shkollës, në një kohë kur fluksi i qytetarëve që po shkonin për të ushtruar të drejtën e votës ishte i konsiderueshëm. Nuk ka ende një informacion të saktë mbi shkaqet e këtij konflikti, por dyshohet se përplasja ka ndodhur për motive të lidhura me procesin zgjedhor.
Forcat e rendit kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat. Deri tani nuk ka të dhëna zyrtare për personat e përfshirë në përleshje apo për ndonjë të lënduar. Policia po punon për identifikimin e tyre dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve, ndërkohë që qendra e votimit ka vijuar punën nën praninë e shtuar të forcave të sigurisë.

