Mbrëmjen e sotme janë mbajtur homazhe në qytetin e Pogradecit për vrasjen e Egli Progës, i cili humbi jetën më 1 gusht.
Gjatë homazheve për vëllanë e saj, Jona Proga shprehu dhimbjen e saj për humbjen e jetës së vëllait nga "barbarët e këtij qyteti" dhe premtoi të mbrojë figurën e tij, duke theksuar se "ia ka borxh".
Ajo theksoi se dëshira e saj e vetme është që drejtësia të vihet në vend, dhe që askush të mos përpiqet të përfitojë nga kjo tragjedi.
"Ju falënderoj që jeni këtu në vendin ku mori frymë për herë të fundit vëllai im Eglantini. Unë jam motra e tij por që kur ditën që Egli mbeti i pajetë, pasi jetën ia morën barbarët e këtij qyteti, unë do të jem mbrojtësja e tij. Do ta mbroj tani pas vdekjes pasi nuk isha këtu për ta mbrojtur për së gjalli. Shumëkujt mund ti dukem e vogël, e pafuqishme, e dëshpëruar, e pashpresë apo thjesht një hallexheshë me të zeza. Por ju betohem juve që jeni këtu, edhe atyre që fshihen skutave se drejtësinë do ta sjell me çdo kusht.
Se ja kam borxh vëllait tim, vetes dhe gjithë familjes sime. Nuk dua që të përfitoj askush nga vëllai im, nuk dua që të politizohet vdekja e tij. Nuk dua të hidhërohet askush më shumë se unë, se familja ime për të. Do të pranoj ndihmën e të gjithëve derisa drejtësia të vihet në vend dhe vëllai im ta shoh nga varrezat ku e kanë vendosur. Kriminelat që i kanë mbyllur gojën këtij qyteti dhe vëllait tim duke i mbyllur jetën do të shkojnë në burg të gjithë pa asnjë përjashtim.
Si ata plehra që e dhunuan dhe ja morën shpirtin këtu, si ata të pashpirtët e tjerë që kërkuan ta mbyllin këtë vrasje makabre me heshtje apo me letra, kam vetëm një kërkesë për të gjithë ata që më dëgjojnë sot, për pogradecarët: Flisni, mos kini frikë, tregoni të vërtetat tuaja për banditët që morën jetën e Eglit, dëshmoni se ata mund të vrasin vëllezërit tuaj nëse shpëtojnë paq. Tregoni kush i mbron, kush janë kriminelët pas tyre. Kërkoj nga sistemi i drejtësisë, avokatë, prokurorë, gjyqtarë, këtë herë nuk ka para, nuk ka miq, nuk ka ndërhyrje dhe nuk ka taraf.
Mos bëni gabimin dhe ta godisni me shkelm a me grushta vëllain tim siç bën me grushta barbarët. Kërkoj vetëm drejtësi dhe asgjë tjetër, por jo vetëm si shprehje, e kërkoj si vepër. E kërkoj që sot, i bëj thirrje të gjithë avokatëve dhe juristëve të Shqipërisë të vijnë dhe të mbrojnë Eglin bashkë me mua," tha motra e Eglit me vendosmëri.
Ndërkohë, babai i Egli Progës theksoi se familja kërkon vetëm drejtësi dhe që e vërteta të dalë në dritë. "Vetëm drejtësi, vetëm drejtësi! Të dali e vërteta, kaq," tha ai shkurtimisht.
Sipas hetimeve, Egli Proga u dhunua nga 29-vjeçari Denis Meçe, duke shkaktuar edhe vdekjen.
