Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” po mbahet protesta e 54-t, ku qytetarët fillimisht u mblodhën në Sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë.
Gjatë protestës janë bërë thirrje për lirimin e protestuesve që u arrestuan gjatë tubimit të mbajtur paraditen e sotme para Parlamentit.
“Policia duhet t’u shërbejë qytetarëve. Lironi çunat dhe vajzat që keni arrestuar padrejtësisht. Sapo më njoftuan se policia ka vendosur që disa nga protestuesit t’i ndalojë, megjithëse janë kapur në rrugë dhe nuk kanë bërë asgjë të ndaluar. I bëj thirrje edhe një herë që t’i lirojë brenda ditës së sotme”, tha një qytetar gjatë protestës.
Pas fjalimeve që do të mbahen pranë Kryeministrisë, qytetarët, si çdo mbrëmje, do të vijojnë marshimin në rrugët e kryeqytetit, duke shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe duke u bërë thirrje edhe qytetarëve të tjerë t’u bashkohen protestave.
