Policia e Tiranës ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur ditë më parë, por të bërë publike mbrëmjen e djeshme, ku modelja, Klea Prenga, akuzoi publikisht sipërmarrësen dhe ish-banoren e Big Brother Vip, Antonela Berisha dhe motrën e saj se kishin paguar një person për ta dhunuar teksa darkonte në një restorant.
Përmes një njoftimi zyrtar blutë e kryeqytetit bëjnë me dije se lidhur me këtë ngjarje janë shpallur në kërkim dy motrat, Antonela Berisha dhe Mariela Berisha.
Të dyja motrat, sipas policisë, në bashkëpunim me njëra-tjetrën në ambientet e një lokali në Tiranë, dyshohet se kanë goditur me shishe qelqi në fytyrë 24-vjeçaren Klea Prenga.
Mbi motrat Berisha rëndon vepra penale “Plagosje e rëndë me dashje” e kryer në bashkëpunim. Efektivët janë vënë në lëvizje dhe po punojnë për lokalizimin dhe arrestimin e Antonela dhe Mariela Berishës.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe po punojnë për lokalizimin e shtetaseve A. B., 28 vjeçe, dhe M. B., 28 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë, për veprën penale "Plagosja e rëndë me dashje" kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 88/25 i Kodit Penal.
Këty dy shtetase, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, në ambientet e një lokali në Tiranë, dyshohet se kanë goditur me shishe qelqi në fytyrë shtetasen K. P., 24 vjeçe. Materialet i kaluan Prokurorisë”, njofton Policia.
Ditën e djeshme, Klea Prenga, akuzoi publikisht motrat Berisha se kishin paguar një person për ta dhunuar teksa po darkonte në një nga restorantet e Tiranës. Në llogarinë e saj në “Instagram” modelja 24-vjeçare publikoi foto ku shihej qartë një e çarë e madhe në anën e djathtë të fytyrës dhe gjakderdhje në të gjithë trupin.
"Sulmi u krye nga Mariela Berisha dhe Antonela Berisha. As ato dhe askush tjetër nuk mund ta shkatërrojë fytyrën dhe imazhin tim. Më vjen keq për to, sepse e tyrja është e shkatërruar me kohë. Nga anët tona as hasmi nuk goditet duke ngrënë. Po të ishe aq gangstere sa të duket vetja, do më kishe ardhur përballë.
Sa për mesazhin kërcënues që ke dërguar pasi ke kryer sulmin.Mua nuk ma prishin dot imazhin fundërrina si ju qe ju njeh e gjithë Shqipëria. Ti nuk ke familje vajzë e dashur që të të hyet në mes. Ti del e tregon përralla nëpër media për jetën tënde.
Femra xheloze si puna juaj meritojnë të izolohen në një spital mendor, sepse as sulmet e juaja të dhunshme nuk do të mundin të më shkatërrojnë mua apo jetën time," shkruan Kela ndër të tjera në postimin e saj, bashkëngjitur me provat ku duket e gjakosur.
View this post on Instagram
