Mes 20 të shoqëruarve mbrëmjen e djeshme në Komisariatin e Shkodrës ishte dhe Safet Bajri, një emër i njohur për drejtësinë shqiptare.
Personat e lartpërmendur u shoqëruan lidhur me atentatin e ndodhur pasditen e së mërkurës (30 tetor), ku fatkeqësisht humbën jetën tre persona si dhe u plagosur rëndë një tjetër.
Në dëshminë e dhënë para uniformave blu Bajri ka mohuar të ketë gisht në këtë ngjarje. Gjatë qëndrimit të tij për 2 orë në Komisariat ai ka thënë se në momentin që ka ndodhur ngjarja ka qenë në shtëpi me familjarët e vet. Sipas tij është i monitoruar në kamera gjithandej në shtëpi, të cilat provojnë se gjatë kohës së vrasjes ka qenë në shtëpi.
Persona të paidentifikuar qëlluan me breshëri kallashnikovi automjetin tip Benz me të cilin po udhëtonin dy të rinjtë, Hamza Lici dhe Arlind Bushati. Si pasojë mbeti i vdekur në vendin e ngjarjes vëllai i Ibrahim Licit, ndërsa u plagos rëndë Arlind Bushati. Ky i fundit humbi jetën mbrëmjen e djeshme pasi plumbi që kishte marrë në kokë rezultoi të ishte fatal për të.
Ndërkohë, viktimë mbeti edhe Flutura Basha, e cila po lëvizte me motoçikletë me bashkëshortin e saj, Bashkim Basha kur automjeti me të cilin po udhëtonte Lici dhe Bushati doli nga rruga dhe i përplasi.
Ngjarja e rëndë ndodhi në Dobraç të Shkodrës. Kjo zonë njihet në kryeqendrën e veriut si një lagje nën kontrollin e fisit Bajri, me në krye Behar Bajrin, i cili prej muajsh ndodhet në qeli. Ai njihet për hasmërinë e hapur me fisin Lici, në krye të të cilit është Ibrahim Lici, deri disa muaj më parë me vendndodhje në Turqi.
Vëllai i tij, Hamza Lici, mbeti i vdekur ditën e djeshme sapo makina ku ai ndodhej ka hyrë në Dobraç, por nuk dihet nëse autorësia e atentatit mafioz i përket fisit Bajri, apo vrasja mafioze lidhet me rrethana të tjera të kohëve të fundit.

