
Një atentat me 2 viktima dhe dy të plagosur, u regjistrua pasditen e kësaj të mërkure në hyrje të qytetit të Shkodrës, në lagjen e njohur Dobraç. Shënjestër e këtij atentati ishin familjarët e të shumëkërkuarit të drejtësisë, Ibrahim Licit.
Ata kanë qenë duke udhëtuar me një makinë Mercedes Benz S Class kur kanë rënë në breshëri plumbash. Një prej viktimave të këtij atentati ka qenë vëllai i Ibrahim Licit, Hamza Lici.
Zona ku janë regjistruar të shtënat njihet si zonë nën kontrollin e fisit Bajri, kurse personat që kanë rënë viktimë, fisi Lici, janë në hasmëri me ta.
Por, kush është Ibrahim Lici ose i njohur ndryshe si “Fantazma”?
Ibrahim Lici një emër i njohur i botës së krimit, i cili edhe pse në kërkim nga Polciia, vazhzdon të jetë pjesë e atentateve mafioze. Pasditen e kësaj të mërkure familja e Licit ra pre e atentatit ku nga breshëria e plumbave mbeti i vdekur i vëllai i tij, Hamza Lici.
Ai është djali i ish-këshilltarit të Bashkisë së Shkodrës, Mustafa Lici. Ibrahim Lici është dhe një ndër njerëzit më të kërkuar nga autoritetet shqiptare, për disa vrasje të bujshme. Në 15 shkurt të këtij viti 31-vjeçari ra në prangat e policisë në Stamboll për vrasjen e Endri Mustafës. Mirëpo disa javë më pas ai u lirua nga autoritetet turke si pasojë e mungesës së marrëveshjes së ekstradimit drejt vendit tonë.
Prej muajit Maj 2021, Lici rezulton të jetë shpallur në kërkim nga policia, si i autor i dyshuar i vrasjes së Mustafës, ngjarje kjo e ndodhur në zonën “Livadhe” në Shkodër.
-
Atentat me 2 viktima në Dobraç
30 Tetor, 16:39
Akuzat ndaj tij u ngritën pas dëshmisë së 15 vjeçarit, Ergys Malja. Fillimisht Malja, ka treguar se ishte ai që kishte nxjerrë nga shtëpia Endri Mustafën dhe së bashku ishin drejtuar në zonën e quajtur “Gropat e Eskavatorit”. Sipas 15-vjeçarit, papritur i ka dalë në rrugë, Ibrahim Lici me një motor, i cili e ka qëlluar me pistoletë, Endri Mustafën, duke e lënë të vdekur në vend. Ndërsa vetë i mituri Ergys Malja, ka treguar se është larguar me vrap duke mundur të shpëtojë.
Vetëm një javë pas krimit të rëndë, policia arrestoi Ergys Maljan si bashkëpunëtor në këtë vrasje. Fillimisht Malja, u dënua me 24 vite burgim nga gjykata e Shkodrës, por për shkak të moshës së mitur, dënimi i tij u reduktuar, duke u dënuar përfundimisht me 12 vjet heqje lirie.
Lici nga arratia ka mohuar të gjitha akuzat, madje ai ka pretenduar e ditën e ngjarjes ka qenë në Tiranë në shoqërinë e shokëve dhe një vajze, shkruan neësbomb.al.
31-vjeçari është dhe i dyshuari kryesor i vrasjes së dy vëllezërve Bilali në Shkodër. Astrit dhe Brahim Bilali, më 30 mars 2019, u ekzekutuan me breshëri kallashnikovi në portën e shtëpisë. Ngjarja u hetia su përplasje mes bandave rivale në Shkodër.
Astrit Bilali, i cili mbetur i vdekur së bashku me të vëllanë e tij, është babai i Astmer Bilali, ish kampionit boksit i arrestuar si pjesë e grupit “Bajri” në Shkodër.
Astriti ishte biznesmen i njohur në Shkodër dhe në qytet ai identifikohej për pasionin e tij për kuajt së bashku me vëllain Brahimin, i cili ishte kryetar i shoqatës “2 prilli”.
Lidhja e Endri Mustafës dhe Astmer Bilalit:
I ndjeri Endri Mustafa dhe Astmer Bilali kanë qenë shok me njëri-tjetrin dhe bashkëpunëtorë në disa ngjarje kriminale. Në vitin 2016, Endri Mustafa ra në prangat e policisë pasi u akuzua për një grabitje mne armë zjarri. Lidhur me këtë ngjarje aso kohe u shpall në kërkim edhe Asmer Bilali.
Nga miq në armiq, si nisën përplasjet mes fiseve Lici dhe Bajri:
Ngjarja e kësaj të mërkure, 30 tetor 2024, ka ndodhur në lagjen e njohur Dobraç, zonjë kjo e cila njihet si zonë nën kontrollin e fisit Bajri, kurse personat që kanë rënë viktimë, fisi Lici, janë në hasmëri me ta.
Përplasja mes dy fiseve të cilët dikur kanë qenë miq dhe sot në hasmëri të hapur, dyshohet se ka nisur që në janar të 2018 ku iu bë një atentat biznesmenit Lulzim Kulla.
Aso kohe si pasojë e kësaj ngjarje mbetën të plagosur 8 persona, mes tyre edhe biznesmeni. Më 18 qershor, u vra në servisin e tij teksa po riparonte brava makinash shtetasi Mehdi Kavaja.
Më 15 korrik të vitit të 2018, poshtë banesës që kishin me qira ekzekutohen çifti Boran Bërçana dhe Silvi Ndoci, ndërsa bashkë me ata në makinë ndodhej edhe një fëmijë 3 vjeç, që u shpëtoi mrekullisht plumbave.
Ish-polici Bërçana dyshohej se kishte lidhje me grupin Bajri dhe kishin lidhje me Lulzim Kullën, duke qenë se është dhëndri i tyre.
Më 10 gusht të 2018-ës vritet Fatbardh Lici, vëllai i Sokol Licit dhe Mustafa Licit, babait të Ibrahim Licit. Kjo vrasje dyshohet se erdhi si hakmarrje nga fisi Bajri pas vrasjes së ish-polcit Bërçana.
Mustafa Lici, babai i Ibrahim Licit ka shkuar dy herë në Prokurori ku dhe ka dhënë shpjegime para oficerëve dhe prokurorit të çështjes, Arben Kraja, lidhur me miqësinë dhe më pas përplasjen e vazhdueshme deri në viktima mes familjes së tij dhe fiseve Bajri dhe Bilali.
Në këtë çështje penale, Mustafa Lici është pyetur si viktimë e veprës penale, pasi ai dhe vetë djali i tij, Ibrahimi, kanë qenë në planet për t’u vrarë nga Astmer Bilali, Behar Bajri dhe Pëllumb Gjoka.
Lidhur me konfliktin midis Behar Brajoviq alias Bajri dhe Ibrahim Licit, më datë 24 Janar 2024, është pyetur si deklarues Mustafa Lici, babai i Ibrahim Licit, i cili shpjegon se me fisin Bajri ka pasur miqësi vëllai i tij, i ndjeri Fatbardh Lici.
“…Po pas vrasjes së Fatbardhit, fisi Bajri nuk është takuar më me Licot…”, është shprehur Mustafa Lici.
"...në lidhje me faktin që më parashtruat dhe më keni thirrur, dua të s’qaroj se unë kam patur një vëlla Fatbardh Lici, të cilin e kanë vrarë në vitin 2018. Për Fatbardhin dua të s’qaroj se ai ka patur lidhje shoqërore dhe është frekuentuar me Behar Bajrin, madje Behari dhe Bardhi kanë fjetur në shtëpitë e njëri tjetrit, kanë qenë shokë.
Pasi u vra Fatbardh Lici, dhe ne si familje kishim hapur dyert e mortit, kemi pritur disa ditë dhe na ka bërë përshtypje që asnjë nga anëtarët e fisit Bajri dhe rrethi shoqëror i tyre, Astmer Bilali e të tjerë, nuk na erdhën për ngushëllim. Mua më ka bërë shumë përshtypje sa arrita të krijoja dyshime të pabazuara në prova se fisi “Bajri” dhe familja e Astmer Bilalit mund të ishin të përfshirë në vrasjen e vëllait tim Fatbardh Lici. Pas vrasjes së Fatbardhit disa kohë më vonë, në Shkodër u hapën fjalë të cilat më vinin nga të njohur të mi, se fisi “Bajri” fliste në opinion publik duke u tallur me familjen time dhe komentuar varrimin e vëllait tim, pasi disa anëtarë të familjes time nuk erdhën në varrimin prej frikës së mos na qëllonin…”, tha ai.