Gazetarja Klodiana Lala ka zbardhur disa detaje të reja mbi vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani, i cili humbi jetën pas një konflikti me bashkëmoshatarët e tij pranë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë.
Teksa nëpër media tashmë është bërë i ditur emri i një personi të dytë i cili dyshohet si i përfshirë në këtë konflikt, Lala tregon se ky person, i cili nuk është ndaluar akoma nga policia, rezulton të jetë djali i një hetuesi të BKH-së.
Gazetarja bën me dije se në konflikt kanë qenë të përfshirë 5 persona, Martini ka qenë i shoqëruar nga shoku i tij i cili mbeti i plagosur, Luis Meçja dhe nga djali i tezes, ndërsa Mario Përlleshaj, autori i vrasjes së 14-vjeçarit, ka qenë i shoqëruar nga një shoku i tij i cili nuk figuron pjesë e hetimeve paraprake.
"Çdo prind duhet t’i bashkohet protestës. Pas vrasjes së Martin Canit, po mbahen nën vëzhgim ambientet e jashtme të shkollave. Fatkeqësisht, që të bëhej kjo, duhet të ndërronte jetë një 14-vjeçar. Mendoj se reagimi është me vonesë. Ka çdo ditë konflikte në shkolla, situata është alarmante. Protesta për vrasjen e adoleshentit nuk duhet të jetë me ngjyrime politike. Nëse një mësues del te protesta, të nesërmen nuk është më në punë. Mësuesit frikësohen të dalin në protestë.
Në ngjarje kanë qenë 5 persona. Martin Cani, ka qenë me Luizin dhe me djalin e tezes. Vrasësi i dyshuar ka qenë me një mikun e tij, që nuk është ndaluar nga policia, pasi rezulton se nuk është përfshirë në ngjarje. Janë përleshur dy grupet e fëmijëve. Shoku i autorit të dyshuar rezulton se është djali i një hetuesi të BKH, pranë Prokurorisë së Posaçme. Grupi i hetimit ka dalë në përfundimin se nuk ka pasur autor të dytë në ngjarje. Por çështja po hetohet. Me akt-ekspertimin do arrihet në përfundimin sesa thika janë përdorur në ngjarje. Akt-ekspertimi zbardh ngjarjen", ka deklaruar Lala për emisionin "Open" në News24.
Kujtojmë që pak ditë më parë babai i Luis Meçjes ka tronditur me deklaratën e bërë se fundmi ku tregon se i biri dhe Martin Cani, i cili fatkeqësisht mbeti i vdekur, janë goditur me thikë nga dy persona.
Babai i Luisit ka treguar se Mario ka qenë i shoqëruar nga një tjetër person, më i madh në moshë i cili gjithashtu ka patur me vete thikë dhe ka goditur djalin e tij.
“Po ta them me emër që personi i parë që e ka goditur Luisin me thikë pas shpine është Kledjon Begaj, bashkëmoshatar dhe shok i autorit tjetër. Ky Kledjoni e ka pasur thikën më të vogël thikën dhe këto dëshmi i dhashë sot te Drejtoria e Policisë. Kledjoni e ka goditur i pari në shpatull djalin tim, është më shkurtër si plagë dhe më e ngushtë, herën e dytë e ka goditur ky djali që është kapur Mario, dy herë dhe në fund pastaj e kanë goditur të dy se djali ka ikur i fundit pasi ka parë Martinin të rrëzuar në tokë”, tha babai i Luisit.
