Lajmi tronditës për ndarjen nga jeta të ish-deputetit Gerti Bogdani ka bërë që të ndërpritet në mes mbledhja për mandatin e deputetit Vullnet Sinaj.
“Sapo është konfirmuar Gert Bogdani ka ndërruar jetë dhe ky lajm është tronditës dhe shumë i rëndë në PD dhe në Kuvend. Kërkoj mirëkuptim tuaj për ndërprerjen e mbledhjes,” tha Bardhi.
Ndërpreja u kërkua nga deputeti Gazment Bardhi, gjë që u pranua menjëherë nga kryetarja e Këshillit, Elisa Spiropali.
“U prehtë në paqe kolegu ynë Gerti Bogdani. Ngushëllime familjes së tij. Mbledhja ndërpritet dhe do të vijojë në një moment të dytë,” tha Spiropali.
Ish-deputeti ka humbur jetën në moshën 44-vjeçare pas një arresti kardiak. Mësohet se ish-ligjvënësi demokrat ka pësuar arrest kardiak në ambientet e hotel "Rogner" në Tiranë. Ai është dërguar me urgjencë në spital, por mjekët e kanë pasur të pamundur që ta rikthenin në jetë.
Ish-deputeti ka qenë i martuar me aktivisten Edlira Çepani dhe ishte babai i dy fëmijëve, Ajrës dhe Reinartit. Gerti Bogdani ka lindur më 7 korrik 1980 në Tiranë, politikan shqiptar, ish-deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë.
Pasi mbaroi shkollën e mesme “Harry Fultz”, me rezultate të shkëlqyera dhe ‘Medalje Ari’, Gerti Bogdani vijoi studimet e larta në Universitetin Politeknik të Neë York-ut, ku u diplomua me ‘Nderimet më të Larta’ (Summa Cum Laude), duke u shpallur edhe fitues i Outstanding Graduate Award - ‘Medalje Ari’.
Rikthehet më pas në Shqipëri, duke e filluar karrierën e tij profesionale në fushën akademike në Universitetin e Neë Yorkut –Tiranë. Ai është themelues dhe drejtues i Rrjetit të Studentëve Shqiptarë në Botë.
Karrierën politike e fillon në vitin 2007, ai kandidon me Partinë Demokratike për Kryetar të Njësisë Bashkiake nr. 10 Tiranë, garë të cilën e fiton. Gjatë kësaj kohe vazhdoi edhe aktivitetin si zëdhënës politik i PD. Në vitin 2009, Gerti Bogdani, kandidon në Zgjedhjet Parlamentare të 28 qershorit 2009, dhe u zgjodh si deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë. Nga viti 2009 e në vijim, ai vazhdon aktivitetin e tij si Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike.
Në vitin 2011 ai u zgjodh zv/president i "Bashkimit Ndërkombëtar të të Rinjve Demokratë".
