Gazetarja Klodiana Lala, ka zbardhur të tjera detaje në lidhje me atentatin pranë Aeroportit të Rinasit ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos Muçi Shaljani.
Lala u shpreh se atentati ishte i mirëorganizuar dhe ngjarja ka ndodhur në harkun kohor të 2 minutave pasi ekzekutorët kishin informacione të sakta dhe pritën shenjestrën të dilte nga zona e sigurt e aeroportit.
Gazetarja theksoi më tej se automjeti që u përdor nga autorët është i vjedhur së bashku me targat ndërsa u shpreh se makina u dogj në fshatin Halil të Krujës.
"Bëhet fjalë për një atentat të mirëorganizuar. Automjeti dyshohet i vjedhur dhe me targa të vjedhura. Ekzekutorët kanë pasur informacion të qartë.
Kanë pasur njerëz që i kanë informuar. Me të dalë tek cepi, e kanë qëlluar në 2 minuta, kaq ka zgjatur kjo masakër. Kemi një të vrarë dhe një të plagosur.
Mund të kishim më shumë viktima pasi ka shumë lëvizje në zonë, ka dhe turistë. Automjeti më pas ka shkuar drejt Urës së Gjolës. Automjeti i dyshuar i përdorur nga autorët është gjetur i djegur në fshatin Halil."-tha Lala.

