Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Inçizues në formë pakete, celularë e euro, çfarë sekuestroi SPAK gjatë kontrolleve për arrestimin e Çyrbjes

Shkruar nga Newsbomb
Inçizues në formë pakete, celularë e euro,
Foto ilustruese

Me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, oficerët e BKH-së dhe Policia e Durrësit “zbarkuan” në banesën e ish-deputetit socialist, Jurgis Çyrbja si dhe kunatit të vëllait të tij, Ahmet Masha.

Gjatë kontrolleve në banesa sipas njoftimit zyrtar të SPAK mësohet se agjentët e BKH-së kanë gjetur dhe sekuestruar 5 celularë, 1100 euro, dokumente pronësie, hard disk të jashtëm si dhe një pajisje regjistrimi në formë pakete.

1. Pesë telefona celularë;

2. Një hard disk i jashtëm Verbatim;

3. Një pajisje regjistrimi në formë pakete;

4. Shuma monetare prej 1,100 (njëmijë e njëqind) euro;

5. Dokumente pronësie, etj;

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar doli paraditen e kësaj të hëne me një njoftim zyrtar lidhur me arrestimin e ish-deputetit socialist, Jurgis Çyrbja. Në njoftim SPAK sqaroi të gjitha akuzat që rëndojnë mbi ish-deputetin socialist.

Jurgis Çyrbja akuzohet se u ka dhënë informacione kriminelëve të cilët janë të shpallur në kërkim ndërkombëtar, gjithashtu dhe përmes kunatit të vëllait të tij, Ahmet Mashës, ish-deputeti ka dekonspiruar operacionet e Policisë së Durrësit.

Nga hetimet e deritanishme dhe “zbërthimi” i aplikacionit “SKY ECC” rezulton se funksionarë publikë, ende të paidentifikuar, në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës i kanë shitur Çyrbjas sekrete shtetërore në 7 raste.

“Nga analiza e akteve të administruara deri në këto momente, ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se, funksionarë publik (të paidentifikuar deri në këtë fazë të hetimit), në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës në 7(shtatë) raste, kanë zbuluar akte të cilat ligji i përcakton si sekret shtetëror, pasi me përmbajtjen e tyre rezulton se është vënë në dijeni personi nën hetim J.Ç., duke konsumuar elementët e veprës penale “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, parashikuar nga neni 295/a/1 i Kodit Penal, pa autor”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e SPAK.

Sipas SPAK mësohet se ish-deputeti socialist përmes kunatit të vëllait të tij ka dekonspiruar operacionet e Policisë së Durrësit për arrestimin e personave të shpallur në kërkim. Ish-deputeti ka ndihmuar pronarin e kompleksit “Golden”, Altin Hajri, që t’i shpëtojë bluve dhe në këmbim ai e ka ndihmuar që të siguronte mandatin e deputetit në zgjedhjet e 2021.

“Po ashtu nga hetimi i këtij procedimi penal ka rezultuar se personi nën hetim J. Ç., në kohën e kryerjes së veprave penale ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, i cili ka patur një marrëdhënie miqësore me personin tjetër nën hetim A. H., i shpallur në kërkim ndërkombëtar për kryerjen e veprave shumë të rënda penale. I hetuari J.Ç., për shkak të funksionit të tij si deputet i ka ofruar favorizime të ndryshme të hetuarit të shpallur në kërkim ndërkombëtar,  A.H., duke ndërhyrë në agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit në Shqipëri, me qëllim favorizimin e tij apo të lidhjeve të ngushta familjare e shoqërore, duke konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.

Nga ana tjetër personi nën hetim A. H., në këmbim të këtyre favoreve të siguruara nga i hetuari J.Ç., i ofronte këtij të fundit që të votonte si dhe të siguronte votuesë në funksion të mbështetjes së tij si kandidat për deputet në Qarkun e Durrësit, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, duke konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e SPAK.

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese

op
ed