Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ra në prangat e Policisë mëngjesin e sotëm bashkë me bashkëpuntorët e tij besnikë, Ermal Kurtulajn dhe Alfred Nikollan, pasi akuzohen për shpërdorim të fondeve të dhëna nga Bashkimi Europian.
Burime për mediat bëjnë me dije se aktualisht agjentët e Bryosë Kombëtare të Hetimti si dhe efektivët janë duke kryer kontrolle në agjencinë e BE-së së fondeve të njohura si SASPAK si dhe në banesat e zyrat e Ilir Beqajt, Ermal Kurtulajt, Alfred Nikollas, Gazment Haxhisë, Elton Marinit, Bledar Lekës dhe Bjona Zijajt.
Sipas dosjes kjo e fundit rezulton të ketë qenë konstulente financiare e përfshirë në skemën e faturave fiktive.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dha masën e sigurisë “arrest me burg” për Beqajn, Kurtulajn dhe Nikollan, ndërsa për Gazment Haxhinë dhe Elton Marinin është caktuar një masë më e lehtë sigurie, ajo e “arrestit në shtëpi”. Sakaq deri më tani nuk është e qartë masa e dhënë për Bledar Lekën dhe Bjona Zijajn.
Ndërkohë, rreth orës 11:30 Beqaj la ambientet e Drejtorisë së Policisë për tu vendosur tek Blloku i Sigurisë.
Së bashku me një prej të besuarve të tij, Ermal Kurtulajn, Beqaj dyshohet se kanë përfituar shuma të mëdha parash, përmes faturave fiktive për shërbimet e pakryera të lëshuara nga bizneset e ndryshme në Tiranë.
Ermal Kurtulaj ka qenë në qendër të kësaj skeme, i cili rezulton se ka njohje të hershme me ish-drejtuesin e Agjencisë SASPAC, Ilir Beqajn, i cili e ka punësuar dhe si drejtues të projektit Eusair.
Sipas asaj që togat e zeza bënë me dije më herët, Kurtulaj u përgjua dhe u vëzhgua për një periudhë dhe gjatë bisedave apo kontakteve me pronarët e bizneseve të ndryshme, rezultoi se merrte prej tyre fatura për eventet e organizuara.
Gjithashtu më herët u bë me dije se Kurtulaj kishte marrë ndër të tjera fatura edhe nga biznesi në Tiranë, që në fakt i përkisnin restorantit “ Gzona” , dhe këto veprime janë kryer me qëllim që të fshihet lidhja mes Gzonës dhe Beqajt, që atëkohë ishte drejtori i SASPAK dhe monitoronte projektet.
Kjo për faktin, se gruaja e Beqajt, Adriana Beqaj, ka qenë aksionere e kompanisë së zotëron restorantin, aksione që më pas i ka shitur dhe dhuruar tek Arti Malaj, i cili më pas ja ka shitur Eduart Curraj, administratorit të kompanisë farmaceutike “Delta Pharma”, që u bastis nga SPAK, për shkak se ka dyshime se Beqaj e ka favorizuar edhe kur drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë.
Siç është raportuar dhe më herët SPAK ka pasur dyshime se restoranti është në zotërim indirect nga Beqaj dhe ka qenë bashkëpuntori i tij, Ermal Kurtulaj, i cili është përpjekur që të shmangë ѯdo lloj përfshirje te ish-ministrit, me qëllim që të mos kishte probleme me ligjin.
Lidhur me këtë dosje pak muaj më parë u zhvilluan disa kontrolle në disa biznese. Beqaj doli në komunikime me vartës të tij në kohën kur drejtonte zyrën e SASPAC, biseda lidhej me “kopsitjen” e letrave dhe praktikave.
Pas vendimi të Gjykatës së Posaçme për të caktuar ndaj Beqaj masën “ detyrim paraqitje” lidhur me akuzat sa i përket aferës së sterilizimit, ish-ministri dha dorëheqjen nga SASPAC, detyrë të cilën e mbante prej nëntorit të 2022 dhe pozicioni si negociator mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.


