Transmetimi i televizionit të madh informativ News 24 është ndërprerë totalisht, me dhjetëra efektivë të Policisë së Shtetit që kanë rrethuar godinën dhe kanë ndërprerë me forcë energjinë elektrike dhe për rrjedhojë dhe sinjalin.
Media që është në pronësi të sipërmarrësit Irfan Hysenbelliu është në "blackout" total, sepse prej dy orësh transmetimi është ndalur plotësisht, kurse gazetarët e shumtë që punojnë në këtë televizion dhe redaksitë e tjera pjesë e "Focus Media Group", kanë mbetur në rrugë.
Në këto godina ndodhen edhe redaksitë e "BalkanWeb", gazeta "Panorama" dhe "Gazeta Shqiptare". I pranishëm dhe në krye të këtij operacioni qëndron ish-kryepolici i Shqipërisë dhe aktualisht drejtues i shoqërisë "KAYO", Ardi Veliu.
Ai pretendon se godinat e televizionit i takojnë "KAYO-s" dhe një nga arsyet e mësymjes në këto godina është fakti se ato do të kthehen në fabrikë për prodhimin e armëve, nga kompania e parë shqiptare e prodhimit të armëve që drejtohet nga Veliu.
"Ky është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj të drejtës kushtetuese për informim dhe ndaj lirisë së shtypit, që përbën themelin e çdo demokracie. Ngjarja e sotme shënon një precedent të rrezikshëm për shuarjen e zërave kritikë dhe vendosjen e kontrollit mbi informacionin publik.
Bëjmë thirrje urgjente partive politike, shoqërisë civile, organizatave të medias dhe ambasadave të huaja në Tiranë të reagojnë menjëherë dhe të ndalin këtë veprim të dhunshëm, duke garantuar rikthimin pa vonesë të transmetimit dhe respektimin e plotë të fjalës së lirë", thuhet në deklaratën e televizionit.
Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë është i alarmuar për ngjarjen. Organizata thotë se ky veprim alarmant përbën një shkelje flagrante të parimeve themelore të demokracisë dhe të lirisë së shprehjes, të garantuara nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe aktet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë kërkon nga institucionet shtetërore të ndërpresin menjëherë këtë aksion, të garantojnë aksesin e gazetarëve në ambientet e punës dhe të respektojnë standardet demokratike për lirinë e medias.
"Gjithashtu, i bëjmë thirrje organizatave vendore dhe ndërkombëtare për lirinë e shprehjes të monitorojnë nga afër këtë situatë dhe të reagojnë publikisht. I bëjmë thirrje institucioneve që çdo konflikt me televizionet private të zgjidhet me mirëkuptim dhe jo me forcë", përmbyllet reagimi.

