Hapësire reklamuese

Aktualitet

Gara për drejtuesit e Departamenteve të Policisë së Shtetit, regjistrohen 9 kandidatë! Ja EMRAT që spikasin

Shkruar nga Newsbomb
Gara për drejtuesit e Departamenteve të Policisë së Shtetit,
Policia e Shtetit

Gara për drejtuesit e gjashtë departamenteve kryesore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, po shkon drejt fundit pasi të premten është mbyllur afati i aplikimeve, ku janë regjistruar 9 kandidatë.

Mësohet se në garë janë Pëllumb Seferi, Artan Barjaktari, Lorenc Panganika, Saimir Muça, Hergis Jica, Idajet Faskaj, Ferdinand Mara, Alban Dauti dhe Lufti Minxhozi, ku gjashtë prej tyre do të zgjidhen në krye të departamenteve më të rëndësishme të Policisë së Shtetit.

Bëhet fjalë për Departamentit për Policinë Kriminale, Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Departamentit për Shërbimet Mbështetëse, Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Departamentit të Teknologjisë së Informacionit dhe Departamentit për Kufirin dhe Migracionin.

Gara u hap nga drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ku synimi mbetet për herë të parë që drejtuesit e këtyre strukturave të përzgjidhen përmes një gare.

Po ashtu sipas kritereve të përcaktuara në ligjin për Policinë e Shtetit, kandidatët duhet të kenë gradë të rolit të mesëm drejtues, të mos kenë masa të rënda disiplinore gjatë tre viteve të fundit, të mos jenë në konflikt interesi dhe të plotësojnë kriteret ligjore e shëndetësore për funksionin.

Po ashtu në ditët në vijim do të zhvillohen fazat e vlerësimit nga komisioni i posaçëm i Policisë së Shtetit, në përfundim të të cilave do të përcaktohen drejtuesit e rinj të gjashtë departamenteve.

Pas marrjes së konfirmimit, emërimi i tyre do të bëhet me propozim të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe me firmën e ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari.

Ndërsa ky pritet që të jetë procesi i parë dhe i fundit i përzgjedhjes me konkurs për këto nivele drejtuese, pasi në Kuvend pritet të shqyrtohen ndryshime në ligjin e Policisë së Shtetit që parashikojnë heqjen e garës për nivelet më të ulëta drejtuese.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese