Prokuroria e Posaçme ka nisur ditët e fundit një furtunë operacionesh në disa qytete të vendit dhe pritet që kjo verë të jetë vërtet "e nxehtë", ashtu siç është deklaruar kohë pas kohe. Komunikimet në aplikacionin sekret "Sky ECC" janë zbërthyer dhe dokumentacioni për Shqipërinë ka mbërritur në SPAK.
Autoritetet e huaja të drejtësisë dhe zbatimit të ligjit, prej shumë muajsh kanë arritur të thyjenë këtë aplikacion dhe po u dërgojnë shteteve përkatëse dosjet për grupet kriminale dhe zyrtarësh shtetërorë që kanë bashkëpunuar me ta, në mënyrë që të ndërmerren veprime ligjore.
Tre vjet pas goditjes së platformës globale të komunikimeve të koduara "Sky ECC", tashmë është radha e Shqipërisë që të përpunojë të dhënat për eksponentë të botës së krimit dhe zyrtarët e lidhur me ta, për t'i dërguar prapa hekurave.
Në mesin e vitit 2019, një gjykatë franceze lejoi përgjimin e serverëve të Roubaix të Sky ECC, Francë. Belgjika, Franca dhe Holanda formuan një ekip të përbashkët hetimor deri në fund të vitit dhe operacioni i tyre "Argus" mbylli platformën Sky Global më 9 mars 2021. Një miliardë mesazhe u përgjuan.
Sky Global ishte një rrjet komunikimi dhe ofrues shërbimi i themeluar në vitin 2008 në Vankuver, Kanada. Ai zhvilloi rrjetin më të madh të mesazheve të koduara në botë të quajtur Sky ECC, që veprontë nëpërmjet tre serverëve të kompanisë OVHcloud në Roubaix, Francë. Një pjesë e konsiderueshme e përdoruesve të sistemit ishin organizata ndërkombëtare të krimit të përfshira në trafikun e drogës.
Autoritetet e drejtësisë në Francë dhe Belgjikë i kanë administruar vetë të gjitha të dhënat e përfituara nga zbërthimi i kësaj platforme dhe pas përpunimit, ka nisur shpërndarja në shtetet përkatëse nga ku kanë origjinën personat që kanë përdorur këto pajisje.
Deri ditën që platforma u mbyll, ishin regjistruar 171,000 pajisje SKY ECC, kryesisht në Evropë, Amerikën e Veriut, disa vende të Amerikës Qendrore dhe Jugore – kryesisht Kolumbi – dhe Lindjen e Mesme. Një e katërta e përdoruesve aktivë ishin në Belgjikë (6,000) dhe Holandë (12,000), dhe gjysma e tyre u tha se ishin në përdorim rreth portit të Antwerpen.
Porti i Antwerp është një ndër portet kryesore europiane dhe më i synuari nga organizatat transnacionale të drogës, kryesisht me bazë në Amerikën Latine, për të furnizuar me kokainë tregjet europiane.
Tre ditë më parë u arrestua kryeprokurori i Vlorës Aurel Zarka, po për të njëjtat biseda që kanë dalë në aplikacionin "Sky ECC", ndërsa sot janë prangosur ish-kryegjyqtarja e Elbasanit, Pajtime Fetahu dhe zëvendës drejtori i Burgut të Bradasheshit, Martin Musaj.
Newsbomb.al kaa njoftuar më herët se priten operacione të bujshme nga Prokuroria e Posaçme, pikërisht për zbërthimin e komunikimeve nga këto platforma sekrete të komunikimit ku janë përfshirë zyrtarë e ish-zyrtarë të shtetit, si dhe eksponentë të botës së krimit.
Europol, Eurojust, autoritetet franceze të drejtësisë, autoritetet belge të drejtësisë, kanë sjell në Shqipëri dosjen për të gjithë shtetasit shqiptarë që kanë komunikuar në këto platforma.
Prokuroria e Posaçme në Shqipëri për një periudhë disa mujore ka kryer veprimet e nevojshme hetimore duke përfshirë marrjen e informacioneve nga agjenci të huaja të zbatimit të ligjit, marrjen e provave nga autoritetet e drejtësisë së shteteve të tjera, kërkimin, zbulimin dhe administrimin e dokumentacionit të nevojshëm, si dhe analizimin me hollësi të të dhënave dhe dokumentacionit që është administruar nga platformat "Sky ECC".