Hapësire reklamuese

Aktualitet

Familja politike në zi për ikjen e tij, bashkëpunëtorët mesazhe ngushëllimi për Fatos Nanon (REAGIMET)

Shkruar nga Newsbomb
Familja politike në zi për ikjen e tij, bashkëpunëtorët
Lideri historik i PS, Fatos Nano

Fatos Nano një nga figurat më të njohura të politikës shqiptare dhe themeluesi i Partisë Socialiste të Shqipërisë është ndarë nga jeta mesditën e sotme.

Prej kohësh, Nano vuante nga probleme të rënda shëndetësore, ndërsa ditët e fundit gjendja e tij ishte përkeqësuar ndjeshëm, duke i shkaktuar vështirësi në frymëmarrje. Ish-kryeministri ndërroi jetë në moshën 73-vjeçare.

Vdekja e Nanos ka sjellë reagime të shumta dhe trishtim mes kolegve e miqve. Më poshtë disa nga mesazhet e ngushëllimit nga politikanët socialistë:

Petro Koçi:

"Ndahet nga jeta Fatos Nano.

Lideri i transformimit dhe modernizimit te se majtes shqiptare.

Nje kryetar partie kampion i demokracise institucionale, i kolegjialitetit dhe i intelektualizmit politik.

Ishte politikani modern i nje kohe primitive.

Atdhetari i palekundur qe i dha dinjitet e reputacion shqiptarise.

Ishte nje njeri me shpirt te jashtezakonshem bashkepunetor ku hakmarrja nuk gjeti dot kurre hapesire.

Shqiperia dhe e majta socialiste humbi nje personalitet te shquar dhe misionar te paperseritshem.

Fatos Nano, ne krye te nje ekipi intelektual dhe idealist beri historine e luftes per demokraci ne kushtet e zgjatimit te nje diktature te tipit fashist te viteve 92-97.

Le te jete lidershipi i kohes se tij nje frymezim i metejshem per Partine Socialiste dhe demokracine ne Shqiperi!"

Taulant Balla

"Sot e humbëm Kryetarin Nano Do ta kujtojmë gjithmonë udhëheqësin e parë të Partisë Socialiste Fatos Nano për kontributin vendimtar në 14 vite me radhë kur Partia Socialiste nuk lëvizi asnjë moment nga graviteti i interesit kombëtar, çka u skalit si një vijë sjelljeje e palëkundur e partisë sonë, duke e bërë unikale mes partive politike në Shqipëri. Fatos Nano modernizoi Shqipërinë, duke modernizuar partinë. Faleminderit për mundësinë që më dhe të mësoj shumë prej teje U prehsh në paqe shef".

Ulsi Manja

"Ka politikanë që përfaqësojnë kohën ku jetojnë,
dhe ka të tjerë që përfaqësojnë epoka.

Fatos Nano ishte ndarja mes dy botëve: aty ku mbaroi frika e komunizmit dhe nisi debati për demokracinë.

Lamtumirë, Kryetar!"

Ardit Bido

"Lamtumirë është fjala për të ndjerin, por Fatos Nano do të mbesë gjatë përmes veprës së tij.

Faleminderit për një shoqëri më demokratike, për një politikë më evropiane dhe për një kontribut kombëtar në integrim dhe për Kosovë!"

Evis Kushi

"Trishtim për ndarjen nga jeta të Fatos Nanos, themelues i së majtës moderne dhe udhëheqës vizionar përballë sfidave të mëdha në kohë të vështira.

Fjalët janë pak për të përshkruar kontributin e Fatos Nanos në rindërtimin demokratik të Shqipërisë. Trashëgimia e tij do të jetojë gjatë në historinë e kombit shqiptar!"

Ervin Demo

"I trishtuar për ndarjen nga jeta të Fatos Nanos, liderit historik të Partisë Socialiste, ish-kryeministrit të vendit dhe një figure të rëndësishme të tranzicionit shqiptar.

Ngushëllime familjes së tij dhe familjes së madhe socialiste!

U prehtë në paqe!"

Niko Peleshi

"Lamtumirë, Fatos Nano!
Para pak çastesh u nda nga jeta Fatos Nano, politikani që dominoi një epokë të tërë të jetës politike shqiptare, themeluesi dhe drejtuesi vizionar i Partisë Socialiste deri në vitin 2005.

Për mua personalisht, Fatos Nano mbetet figura që më hapi dyert e politikës, duke më besuar përgjegjësinë e parë publike, në atë kohë një ftesë ndaj një brezi të ri për të ndërtuar së bashku Shqipërinë që ne të gjithë e ëndërronim. Ai kishte atë aftësi të rrallë për t’u dhënë hapësirë njerëzve të provonin veten në shërbim të vendit.

Por figura e Fatos Nanos tejkalon çdo përvojë personale. Për politikën shqiptare, ai mbetet politikani modern që solli frymën e vërtetë europiane në mjedisin tonë publik. Ishte intelektuali që dinte të fliste gjuhën e ideve, liberali që besonte te liria individuale dhe zhvillimi ekonomik, europianisti i bindur që e shihte të ardhmen e Shqipërisë vetëm në familjen e madhe europiane. Në një kohë kur shumë ende mendonin me mendësitë e së shkuarës, ai fliste për të ardhmen.

Për të majtën shqiptare, Fatos Nano është arkitekti i transformimit historik. Ai e ngriti të majtën e re mbi themelet e shëndosha të socialdemokracisë europiane, duke bërë atë që dukej pothuajse e pamundur, ta mbante atë në këmbë në një kohë kur filli ku varej ishte jashtëzakonisht i hollë. Ai kishte guximin të thyente dogmat, vizionin për të parë përtej krizave të çastit dhe forcën për të ndërtuar një lëvizje politike që mund të qeveriste dhe të modernizonte vendin.

Historia do ta gjykojë me drejtësi kontributin e tij. Ne që patëm privilegjin ta njohim, ta dëgjojmë dhe të punojmë pranë tij, e dimë se Shqipëria humbi sot një nga figurat më të mëdha të politikës së saj postkomuniste.

I paharruar, Fatos Nano!"

Damian Gjiknuri

"Me modelin e tij liberal, udhëhoqi Partinë Socialiste dhe në tërësi të majtën shqiptare, duke e kthyer në një forcë politike të shëndetshme, moderne e progresiste. Si kreu i qeverisë, Fatos Nano drejtoi vendin në momente të vështira, kur duhej ringritur shteti i gjunjëzuar në të gjitha hallkat e tij. Njeriu i betejave dhe vendimeve të forta ashtu sikurse i kompromiseve dhe marrëveshjeve si mjeti më efektiv i të bërit politikë. Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe dashamirësve!"

Erion Braçe

“Fatos Nano, njeriu që ribëri të majtën shqiptare, u shua sapo! Pusho në paqe dhe faleminderit për gjithçka!”

Ogerta Manastirliu

"U prehsh në paqe Kryetar

E trishtuar për ndarjen nga jeta të udhëheqësit historik të socialistëve shqiptarë, Fatos Nano. Lideri që themeloi dhe drejtoi

Partinë Socialiste në kohëra sfiduese për vendin dhe la gjurmë të pashlyeshme në politikën shqiptare.

Ngushëllime familjes, të afërmve, miqve dhe familjes sonë të madhe socialiste"

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese