
Dy persona kanë rënë në prangat e Policisë së Pogradecit pasi akuzohen se kanë dhunuar familjarët e komisionerit të PS, Entin Gega.
Eksponenti i Partisë Demokratike Luan Tollozhina tashmë i arrestuar nga policia, ka goditur me grusht sot komisionerin e PS Entin Gega që qendrën e votimit pasi vajza e këtij të fundit u përfshi në një debat me të.
Pas ngjarjes në qendrën e votimit, të afërm të eksponentit të PD kanë dhunuar djalin dhe bashkëshorten e Entin Gegës.
Në pranga kanë rënë A. T., 23 vjeç, dhe R. T., 58 vjeç, banues në Pogradec për veprat penale ”Goditja ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një detyrë shtetërore” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.
Gjithashtu policia ka shpallur në kërkim edhe D. M., 30 vjeç, E. M., 35 vjeç, R. T., 37 vjeç, si dhe L. K., 34 vjeç.
Njoftimi i policisë
Në vijim të informacionit të dhënë sot ku në qendrën e votimit nr.3901, shtetasi L. T., tashmë i arrestuar nga Strukturat e Posaçme për Hetimin e Krimeve Zgjedhore në DVP Korçë, dhunoi fizikisht komisionerin shtetasin E. G, ju informojmë se:
Strukturat e Posaçme për Hetimin e Krimeve Zgjedhore në DVP Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë kanë vijuar hetimet për identifikimin dhe arrestimin e personave të përfshirë në dhunimin e djalit dhe të bashkëshortes së komisionerit E.G, i cili u dhunua nga shtetasi L.T.
Si rezultat i hetimeve u arrestuan në flagrancë shtetasit A. T., 23 vjeç, dhe R. T., 58 vjeç, banues në Pogradec për veprat penale ” Goditja ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një detyrë shtetërore” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.