Teksa pritet të mbahet sot në GJKKO seanca e radhës e gjyqit të Ilir Metës e Monika Kryemadhit për dosjen ku akuzohen për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie, është mësuar dhe avokati i ri që do të mbrojë ish-presidentin e Shqipërisë.
Burime për mediat bëjnë me dije se avokati i ri i Metës do të jetë Bujar Musta, emri i të cilit nuk është i panjohur .
Ashtu siç kemi raportuar dhe në 2021, KPK shkarkoi nga detyra asokohe gjyqtarin e Elbasanit Bujar Musta i cili ka pasur probleme të theksuar me pasurinë, kriterin moral dhe atë profesional.
Kujtojmë se ishte vetë avokati Kujtim Cakrani, përmes “Studio Ligjore Cakrani”, ai që bëri me dije se Ilir Meta i kishte dhënë fund bashkëpunimit mes tyre.
Sipas njoftimit, arsyeja e ndërprerjes së bashkëpunimit ishte mungesa e besimit reciprok mes palëve.
Po ashtu, ish-presidenti i ka kërkuar ish-avokatit të tij që t’ia dorëzojë materialet dhe punën e kryer deri më tani Tedi Blushit, ndërsa për pagesën t’i drejtohet motrës së tij.
Ndërsa sot u bë me dije se në gjykimet e radhës ndaj Ilir Metës, i cili së bashku me ish-gruan e tij Monika Kryemadhi akuzohen për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie, avokati që pritet “të shpëtojë” kreun e PL-së është Bujar Musta.

