Hapësire reklamuese

Aktualitet

Meta dhe Kryemadhi kundërshtojnë provat e mbledhura, kërkojnë dëshminë e biznesmenit Adrian Shatku: T'i dërgohet letërporosi

Shkruar nga Newsbomb
Meta dhe Kryemadhi kundërshtojnë provat e mbledhura,
Ilustrim: Monika Kryemadhi dhe Adrian Shatku - ne qender Ilir Meta

Detaje të reja kanë dalë në pah nga seanca paraprake e zhvilluar ditën e sotme në GJKKO ndaj ish- çiftit Meta-Kryemadhi, ku mësohet se dyshja ka dalë me një sërë kërkesash drejtuar SPAK.

Duke kundërshtuar provat e mbledhura nga SPAK, mësohet se mbrojtja e Kryemadhit ka kërkuar që përmes një letërporosie të merret dëshmia e biznesmenit Adrian Shatku, në lidhje me akuzat e ngritura se Kryemadhi ka përdorur llogaritë bankare të këtij të fundit.

Në lidhje me provat e mbledhura, nga të cilat kanë dalë në pah mesazhet e shkëmbyera mes Kryemadhit dhe Shatkut për blerje të kryera brenda dhe jashtë vendit, avokati i ish-deputetes Redi Llanaj, është shprehur se janë keqinterpretuar mesazhet mes dyshes. Ndërsa u shpreh se interpretimi i bisedave të shkëmbyera është bërë për motive politike si dhe ka kërkuar që këto prova të shpallen të pavlefshme. 

Sipas avokatit Redi Llanaj, Shatku mund të sqarojë mënyrën e njohjes me Kryemadhin, si nisi kontrata me Vodafone dhe nëse ish-deputetja kishte kompetencë për të negociuar një marrëveshje të tillë.

Në provat e mbledhura nga ana e SPAK, Adrian Shatku kërkonte që kompania UNIFI të lidhte një kontratë ndërkombëtare interkoneksioni me Vodafone Albania.

Prokuroria pretendon se nga komunikimet e gjetura në telefonin e Monika Kryemadhit rezulton se ajo dhe Ilir Meta janë angazhuar për të ndihmuar në realizimin e kësaj marrëveshjeje.

Po ashtu, bëhet me dije se në dosje përmenden komunikime me drejtues të Vodafone Albania dhe biseda me Shatkun për zhvillimin e negociatave.

Për këto arsye, mbrojtja kërkon dhe dëshminë e një shtetasi afrikano-jugor, i cili sipas avokatit mund të sqarojë nëse Kryemadhi kishte rol real në këtë proces.

Gjithashtu, Redi Llanaj kërkoi që në proces të pyeten edhe disa persona të tjerë, mes tyre Esmeralda Shkjau, Vali Bizhga, kryeministri Edi Rama, ish-ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, si dhe deputetë që kanë propozuar ndryshime në ligjin nr. 134/2014.

Po ashtu, në seancën e sotme, avokati i Ilir Metës ka kërkuar që të mos përdoren më provat e mbledhura nga mesazhet telefonike të presidentit të Partisë së Lirisë, përfshirë këtu dhe intervistat e dhëna nga Vojsava Ismailajt dhe Dritan Priftit.

“Vojsava Ismailaj e dha intervistën pas një SMS-je që më dërgoi dhe unë refuzova ta takoj. Kam njoftuar më 5 janar Prokurorin e Përgjithshëm dhe nisi një çështje pasi zonja kishte lidhje me elementë destabilizues”, mësohet të ketë thënë Meta përmes mbrojtjes së tij.

Kujtojmë se Ilir Meta së bashku me ish-gruan e tij Monika Kryemadhi, akuzohen për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese