Mëngjesin e kësaj të enjte, ministrja Evis Sala zhvilloi një takim në Qendrën e Shërbimeve Komunitare të Integruara në Prush, ku dhe ceku masat e reja të miratuara nga Qeveria Shqiptare në mbështetje të personave me aftësi të kufizuara dhe familjeve të tyre.
Ashtu siç është bërë me dije dhe më parë, ministrja theksoi se falë mbështetjes së qeverisë shqiptare do të mundësohet dyfishimi i pagave për personat që kujdesen për fëmijët me aftësi të kufizuara.
Bëhet me dije se falë aktit Normativ nr. 2, datë 30.06.2026, janë siguruar fondet për zbatimin e këtyre masave. Ndaj që nga 1 korriku i 2026 theksohet se është dyfishuar pagesa mujore për 11 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara, ndërsa do të njihen kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për 14 mijë ndihmës personalë, të cilët kujdesen për fëmijë dhe të rritur me aftësi të kufizuara.
Po ashtu, gjatë takimit të sotëm, ministrja vlerësoi edhe modelin e Qendrës së Shërbimeve Komunitare të Integruara në Prush, si një shembull të shërbimeve sociale të ofruara pranë komunitetit, që ndihmojnë përfshirjen, rehabilitimin dhe zhvillimin e potencialit të çdo fëmije.
“Objektivi ynë është që çdo person me aftësi të kufizuara dhe çdo familje të ndiejë mbështetje konkrete nga shteti, përmes politikave që garantojnë dinjitet, përfshirje dhe mundësi të barabarta,” u shpreh ministrja Sala.
