Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirë, Tedi Blushi ka bërë publike letrën e shkruar nga Ilir Meta, drejtuar avokatit Kujtim Cakrani, në të cilën i kërkon t’i japin fund bashkëpunimit të tyre.
Në letër, Meta shpjegon se arsyeja e ndërprerjes së bashkëpunimit me Cakranin është fakti se ky i fundit ka një agjendë tepër të ngarkuar, ndërsa atij i nevojitet një avokat i angazhuar ekskluzivisht me çështjen e tij në GJKKO.
Po ashtu, ish-presidenti i kërkon ish-avokatit të tij që t’ia dorëzojë materialet dhe punën e kryer deri më tani Tedi Blushit, ndërsa për pagesën t’i drejtohet motrës së tij.
Në fund të letrës, Meta thekson se dorëzimi i dokumentacionit të çështjes është urgjent.
Letra e plotë:
Dt. 29.6.2026
Njoftim
Drejtuar Avokatit z. Kujtim Cakrani
Për dijeni z. Tedi Blushi, Partia e Lirisë
Lënda: Ndërruar z. Avokat,
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin e deritanishëm dhe me shpresën e mirëkuptimit tuaj; për shkak jo vetëm të angazhimeve tuaja të shumta dhe të shtuara, ndërkohë që ngarkesa e çështjes time jo vetëm në themel, por edhe për Gj.E.D.NJ. kërkon angazhim të përditësuar e të përhershëm, kam vendosur që të kem një avokat që të merret vetëm me çështjen time dhe që të jetë në dispozicionin tim tërë kohën.
Për punën që keni bërë deri tani kërkoj mirëkuptimin tuaj, që t'ia dorëzoni z. Tedi Blushi.
Ndërsa motra ime është e autorizuar të diskutojë me ju për ekzekutimin e detyrimeve të mia financiare për mbrojtjen tuaj.
Për korrektesë dhe nisur nga urgjenca e mbylljes së dokumentacionit procedural penal nga Gj.K.K.O., për efekt të ndjekjes së çështjes time në Gj.E.D.NJ., jam i detyruar t'ju njoftoj për këtë ndryshim të mbrojtjes time edhe Gj.K.K.O.
Me konsideratën time të veçantë,
Ilir Meta
Kujtojmë se ditën e djeshme ishte vetë avokati Kujtim Cakrani, përmes “Studio Ligjore Cakrani”, ai që bëri me dije se Ilir Meta i kishte dhënë fund bashkëpunimit mes tyre.
Sipas njoftimit, arsyeja e ndërprerjes së bashkëpunimit ishte mungesa e besimit reciprok mes palëve.
