Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka reaguar në lidhje me incidentet që ndodhën para Kuvendit mes policisë dhe protestuesve, ku u arrestuan edhe 6 tubues.
Balla ka publikuar një video nga përplasja, ku i lënduar ka mbetur edhe një efektiv policie, teksa për këtë bën përgjegjës personat e lidhur me Iranin, ku ka hedhur sërish akuza ndaj Dritan Goxhajn.
Sipas politikanit të lartë socialist, Dritan Goxhaj dhe elementë kriminalë, sulmuan sot Policinë e Shtetit dhe institucionet e zgjedhura demokratike të vendit tonë.
“Dhe kush bën shaka me ndërhyrjen agresive të Iranit në këtë protestë, po ndihet shumë i turpëruar ndërsa e vërteta po del në shesh, pasi e tërë kjo mjegull histerie digjitale po shpërndahet”, thekson ai në postimin e tij.
Postimi i Ballës:
Opaaaaa i doli koka muhabetit. Ajo që nisi si një protestë paqësore e disa djemve dhe vajzave, të cilët dashurojnë flamingot, e më pas mori shtysë nga një akt dhune i dënueshëm, sot degradoi në një shfaqje barbare e linjës terroriste dhe kriminale aty.
Dritan Goxhaj dhe elementë kriminalë të përfshirë mes protestës sulmuan sot Policinë e Shtetit dhe institucionet e zgjedhura demokratike.
Dhe kush bën shaka me ndërhyrjen agresive të Iranit në këtë protestë, po ndihet shumë i turpëruar ndërsa e vërteta po del në shesh, pasi e tërë kjo mjegull histerie digjitale po shpërndahet.
