Pasi u votua me 84 vota pro në seancën e 18 qershorit në Kuvend, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj këtë të martë ka dekretuar ligjin e Amnistisë Penale.
Pas miratimit dhe publikimit në fletoren zyrtare, 466 persona do të fitojnë lirim të menjëhershëm, kurse 869 të tjerë ulje dënimi.
Shifrat i ka dhënë ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Sigurinë, duke theksuar se zero të dënuar për korrupsion, krim të organizuar dhe çështje në kompetencë të strukturave të posaçme antikorrupsion, përfitojnë nga kjo amnisti.
"380 persona fitojnë lirim të menjëhershëm nga ky projektligj që ne kemi sjellë. 900 persona përfitojnë ulje të dënimit. 0 persona, zero të dënuar për korrupsion, krim të organizuar dhe çështje në kompetencë të strukturave të posaçme antikorrupsion, përfitojnë nga kjo amnisti”, tha ndër të tjera Gogu.
Po ashtu Begaj ka dekretuar edhe ligjet e miratuara në Kuvend “Për sektorin e energjisë elektrike”, dhe “Për informacionin elektronik të transportit të mallrave”.
Njoftimi i Presidencës:
Tiranë, më 30 qershor 2026
Presidenti i Republikës Sh. T. Z. Bajram Begaj, me Dekret nr. 375, datë 30.6.2026, dekretoi sot shpalljen e ligjit nr. 57/2026, “Për dhënie amnistie”.
Gjithashtu, Presidenti i Republikës Sh. T. Z. Bajram Begaj, dekretoi sot shpalljen e ligjit nr. 59/2026, “Për sektorin e energjisë elektrike”, si dhe ligjin nr. 60/2026, “Për informacionin elektronik të transportit të mallrave”
