Në nisje të seancës plenare të kësaj të marte, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, njoftoi deputetët për largimin zyrtarisht të deputetes Marjana Koçeku.
Sipas tij, ajo është larguar zyrtarisht nga Komiteti i Stabilizim-Asociimit (KSA) BE-Shqipëri dhe zëvendësohet me deputetin Erjon Malaj.
Gjatë fjalës së tij, Peleshi bëri të ditur se ndryshimi është bërë pas një kërkese zyrtare të paraqitur nga kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla.
Po ashtu Peleshi është shprehur se lidershipi i PS ka lëvizur me shpejtësi për të sanksionuar deputeten që zgjodhi të braktisë pushtetin dhe vijën politike të mazhorancës.
"Kemi një kërkesë nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, zoti Taulant Balla, për zëvendësimin e anëtarit të Komitetit të Stabilizim-Asociimit. Në vend të zonjës Koçeku, emërohet deputeti Erjon Malaj,” deklaroi Peleshi.
Sipas burimeve nga grupi parlamentar, kjo lëvizje vjen si një "ndëshkim logjik" dhe i pritshëm pas qëndrimeve të fundit të Koçekut.
Me këtë ndryshim, Erjon Malaj merr një rol të rëndësishëm me marrëdhëniet me Brukselin. Ai konsiderohet një prej deputetëve të linjës zyrtare të partisë, që shihet si zgjedhja e duhur për të garantuar stabilitet në tryezat e përbashkëta me eurodeputetët.
