Janë gjetur dhe sekuestruar ditën e sotme në një traget në Portin e Durrësit,lëndë narkotike e dyshuar si kokainë, katër gurë të çmuar të dyshuar si diamante, si dhe një aparaturë elektronike për detektimin e metaleve të çmuara.
Lajmi është konfirmuar nga Dogana Shqiptare e cila bën me dije se operacioni u realizua falë bashkëpunimit të kryer mes Doganës së Durrësit dhe Policisë së Shtetit.
Bëhet me dije se, gjatë kontrollit të një automjeti të mbërritur me tragetin e linjës Ankona–Durrës, u konstatua një valixhe që përmbante aparaturën detektuese dhe disa aksesorë të montueshëm.
Ndërsa gjatë kontrolleve të kryera ndaj një shtetasi italian që udhëtonte me një tjetër automjet të ardhur nga Italia, u gjetën katër paketime transparente që përmbanin gurë të ngjashëm me diamantet.
Po ashtu, në një tjetër automjet u zbulua lënde narkotike, kokainë e cila ishte fshehur në një veshje të vendosur në kabinën e drejtuesit të mjetit.
