Është shtyrë sërish këtë të mërkurë në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar seanca gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe të pandehurve të tjerë të përfshirë në të njëjtin proces.
Shkak për moszhvillimin e seancës u bënë mungesat e disa avokatëve mbrojtës, mes tyre dhe avokati Maks Haxhia, i cili kishte njoftuar më herët gjykatën se ndodhej i angazhuar në procesin gjyqësor ndaj Laert Haxhisë.
Në sallën e gjyqit prokurori i posaçëm Ols Dado argumentoi se në kushtet kur disa prej mbrojtësve nuk ishin të pranishëm, procesi nuk mund të vijonte normalisht.
“Për shkak të mungesës së disa avokatëve Prokuroria e Posaçme çmon se kjo seancë nuk mund të zhvillohet”, mësohet të ketë thënë prokurori, ndërkohë që vetë Veliaj nuk mori pjesë në seancë.
Kryebashkiaku i Tiranës i kishte dërguar një shkresë gjykatës, ku njofton se refuzon të jetë i pranishëm në sallë, duke argumentuar se mbajtja e tij në kafaz gjatë zhvillimit të procesit “nuk është as e hijshme dhe as dinjitoze”. Për këtë arsye, ai ka kërkuar të përfaqësohet nga avokati i tij, Plarent Ndreca, i cili ishte i pranishëm në seancë.
Nga ana e akuzës ishte prezent vetëm prokurori Ols Dado, ndërsa mungonte prokurori tjetër i çështjes, Altin Dumani.
Gjatë diskutimeve në sallë, avokati Plarent Ndreca kundërshtoi mundësinë e pezullimit të afateve të paraburgimit për klientin e tij, duke theksuar se mungesa e një avokati në një proces tjetër gjyqësor nuk mund të shërbejë si shkak që Erion Veliaj të përballet me zgjatje të afateve të paraburgimit. Ai bëri me dije gjithashtu se mbrojtja ka kërkuar me shkrim arsyetimin e vendimit për pezullimin e këtyre afateve.
“Fakti që avokati i Laert Haxhisë është në atë gjyq, kjo bëhet shkak qe Erjon Velisë në këtë gjyq t’i pezullohen afatet e paraburgimit. Ne nuk po bëhemi pengesë për zhvillimin e gjykimit dhe ka asnjë arsye përse të pezullohen afatet e paraburgimit. Nga ana tjetër kemi bërë kërkesë me shkrim më herët të na jepni vendimin e arsyetuar përse i janë pezulluar afatet e paraburgimit Veliajt”, mësohet të ketë thënë Ndreca.
Në këtë proces gjyqësor janë nën akuzë gjithsej 19 persona. Ndërkohë, për 11 prej tyre gjykata ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar, duke i veçuar nga pjesa tjetër e çështjes.
Mes të pandehurve në këtë dosje janë Erion Veliaj, Arjola Xoxa, Erald Simixhiu, Linda Kazani, Meriman Palushi, Mirton Lika, Shkëlqim Fusha, Sokol Kryeziu dhe Valmir Xoxa, si dhe disa subjekte private dhe organizata jofitimprurëse.
