Familjet e efektivit të vrarë Enea Mekolli dhe Edison Adri i cili mbeti i plagosur gjatë aksionit të policisë në Lozhan të Korçës, do të përfitojnë ndihmë ekonomike.
Lajmin e ka dhënë përmes një postimi në Facebook, Ministrit i Brendshëm Besfort Lamallari, i cili shkruan se familja e Dëshmorit të Atdheut, Enea Mekolli do të përfitojë 5 milionë lekë të reja, ndërsa e Adrit do të marrë 3 milionë lekë.
Lamallari shkruan se ndihmë nuk mund të zbusë dhimbjen për ngjarjen e rëndë, por shteti ka detyrimin të qëndrojë pranë familjeve të tyre, me respekt, mirënjohje dhe mbështetje konkrete.
Ndërsa më tej, ministri thekson se po ndiqen procedurat ligjore, për trajtimin e familjes së Dëshmorit të Atdheut Enea Mekolli sipas Ligjit “Për statusin ‘Fëmijë në Përkujdesje të Republikës’”.
Postimi i plotë:
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë miratuam vendimet për mbështetjen financiare të familjeve të dy efektivëve; Dëshmorit të Atdheut, Enea Mekolli dhe Edison Adrit, i cili mbeti i plagosur në përballjen me krimin. Përkatësisht do të akordohen 5 dhe 3 milionë lekë të reja për familjet e tyre.
Asnjë ndihmë nuk mund të zbusë dhimbjen për ngjarjen e rëndë, por shteti ka detyrimin të qëndrojë pranë familjeve të tyre, me respekt, mirënjohje dhe mbështetje konkrete. Sakrifica e tyre nuk do të harrohet.
Krahas vendimit të sotëm, Ministria e Punëve të Brendshme po ndjek të gjitha procedurat ligjore për trajtimin e familjes së Dëshmorit të Atdheut Enea Mekolli sipas Ligjit “Për statusin ‘Fëmijë në Përkujdesje të Republikës’”.
Gjatë aksionit të Policisë në Lozhan të Korçës, për kapjen e të shpallurit në kërkim, Violand Braçellari, u vra efektivi i policisë Enea Mekolli, ndërsa Edison Adri mbeti i plagosur rëndë me plumb në nofull.
Gjithashtu, edhe 43-vjeçari Braçellari mbeti i plagosur rëndë, pasi u qëllua nga policia.
