Dy ditë pas sherrit të dhunshëm që ndodhi në plazhin e Velipojës, ku dy persona mbetën të lënduar pasi goditën njëri-tjetrin me sende të forta, policia ka arrestuar njërin nga të përfshirët në sherr.
Bëhet fjalë për Klivis Kuçaj, i cili rezultonte i shpallur në kërkim për veprën penale “tentativë vrasjeje”, pasi dy muaj më parë ka plagosur me armë zjarri një person tjetër.
Sa i përket ngjarjes së Velipojës, mësohet se ndodhi të hënën rreth orës 13:35, në Velipojë, ku Kuçaj dhe Agim Ramazani, për motive të dobëta, janë konfliktuar me njëri-tjetrin, duke përdorur sende të forta, ndërsa ka pasur të shtëna edhe me armë zjarri.
Mësohet se konflikti e ka pasur zanafillën një ditë më parë, para plagosjes, ku të dy palët kanë debatuar ashpër me njëri-tjetrin. Mësohet se të hënën, Kuçaj me disa miq ka shkuar në lokalin ku ndodhej Ramazani me familjarët e tij.
Por kjo ka sjellë që konflikti të përshkallëzohet, ku palët janë përfshirë në konflikt fizik. Si pasojë, Klivis Kuçaj ka mbetur i lënduar rëndë, pasi ka marrë plagë të mëdha në pjesën e fytyrës. Po ashtu, në këtë sherr janë përdorur edhe armët e zjarrit, ku ka pasur disa të shtëna.
Nga ana tjetër, policia ka nisur hetimet edhe për Agim Ramazanin në lidhje me këtë sherr.
Ndërsa policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personit që ka qëlluar me armë gjatë konfliktit, ku mbetën të lënduar dy personat e lartpërmendur.

