Ermal Yzeiraj dhe Alban Dokushi do të jenë dy avokatët të cilët do të mbrojnë ish-kryebashkiakun Erion Veliaj këtë të premte në Kushtetuese.
Ashtu sikurse kemi njoftuar dhe më herët, Veliaj pritet të paraqitet paraditen e sotme pranë ambienteve të Gjykatës Kushtetuese, ku dhe do të zhvillohet seanca publike për ankimimin e bërë nga ish-kryebashkiaku, lidhur me shkarkimin nga detyra dhe dekretin e presidentit Begaj për shpalljen e zgjedhjeve të pjesshme në Tiranë.
Veliaj kërkon shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave lidhur me shkarkimin e tij, si dhe dekretin e Begajt për zgjedhjet e parakohshme në Tiranë.
Dy emrat e avokatëve deri në këto momente ishin mbajtur “sekret” nga Veliaj, ndërkohë një ditë më parë, Jordan Daci, avokati i Veliajt, deklaroi se ishte tërhequr nga rasti, për shkak se pretendon se është në konflikt interesi.
"Në përgjigje të interesit publik lidhur me angazhimin tim si mbrojtës i mundshëm i z. Veliaj para Gykatës Kushtuese, pas një vlerësimi të kujdesshëm në përputhje me ligjin dhe Kodin e Etikës, konstatoj që jam në konflikt interesi për shkak të angazhimeve të mia dhe studios time ligjore në raste të tjera të mëparshme ende ne proces dhe shkaqe të tjera nga ato për të cilat ligji, etika dhe morali na detyrojnë të mos jem mbrojtës në rate si këto. Për këto arsye bëj me dije që s’do jem mbrojtësi i tij para Gjykatës Kushtetuese në gjykimin e nesërm", njoftoi avokati Jordan Daci.

