Hapësire reklamuese

Politikë

Nga paraburgimi në Kushtetuese! Çfarë pritet të ndodhë sot, dhjetëra efektivë do të shoqërojnë Erion Veliajn, ish-kryebashkiaku me pranga dhe i “blinduar”

Shkruar nga Newsbomb
Nga paraburgimi në Kushtetuese! Çfarë pritet të
Bashkia Tirane-Veliaj-Kushtetuesja

Paraditen e kësaj të premte, ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, pritet të lërë ambientet e paraburgimit për disa orë, për t’u paraqitur në Gjykatën Kushtetuese, ku do të zhvillohet seanca mbi ankimimin e tij kundër vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin nga detyra.

Më herët Kushtetuesja njoftoi se Veliaj është vënë në dijeni për zhvillimin e seancës që më 9 tetor, ndërsa katër ditë më vonë u njoftua edhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Gjithashtu, më 20 tetor, lidhur me prezencën e ish-kryebashkiakut në Kushtetuese u lajmëruar edhe Prokuroria e Posaçme.

Burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve konfirmojnë se janë marrë të gjitha masat që ish-kryebashkiaku të jetë i pranishëm fizikisht në sallë. Ai do të shoqërohet nga Policia e Burgjeve gjatë gjithë kohës dhe sipas procedurës ligjore, do të mbajë prangat deri në momentin e hyrjes në sallën e gjyqit.

Nga informacionet e siguruara deri më tani, të cilat vlen të theksohen që nuk janë zyrtare, mësohet se seanca e sotme do të jetë e hapur për publikun dhe do të transmetohet në kohë reale.

Kujtojmë se më 25 shtator Këshilli i Ministrave finalizoi shkarkimin e Erion Veliajt. Gjatë mbledhjes së drejtuar nga kryeministri Edi Rama, Veliaj u shkarkua nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Në vijim të procedurave presidenti Begaj nxori dekretin për zgjedhjet më 9 nëntor, ku pjesë e këtij dekreti ishte edhe Bashkia e Tiranës.

Por, më 9 tetor Kushtetuesja e cila u vu në lëvizje me kërkesë të Veliajt, vendosi që të pezullonte dekretin e Begajt lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve në Tiranë.

Ky proces ka pezulluar përkohësisht zgjedhjet e parakohshme për Bashkinë e Tiranës, të planifikuara për 9 nëntor, derisa Gjykata Kushtetuese të japë vendimin përfundimtar mbi ligjshmërinë e shkarkimit të Veliajt.

Në ankimimin e paraqitur, Veliaj argumenton se largimi i tij nga detyra është i pambështetur në Kushtetutë dhe në ligjin për vetëqeverisjen vendore. Sipas tij, mungesa në detyrë nuk ka ardhur për shkak të vullnetit personal, por për një pamundësi objektive, masën e paraburgimit, e cila sipas ligjit, nuk përbën arsye për shkarkim. Ai pretendon se Këshilli i Ministrave ka interpretuar në mënyrë të gabuar dispozitat ligjore, duke aplikuar një standard që nuk ekziston në asnjë akt juridik.

Gjithashtu, në argumentimin e tij theksohet se funksionet në Bashkinë e Tiranës nuk janë ndërprerë, pasi detyrat janë ushtruar përmes nënkryetares, në përputhje me nenin 64 të ligjit për vetëqeverisjen vendore.

Çështja ka marrë ngjyrime të forta politike që prej 11 shtatorit, kur kryeministri dhe njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, njoftoi nevojën për zgjedhje të reja në kryeqytet, duke shpallur Ogerta Manastirliun si kandidate të mazhorancës. Vendimi për shkarkimin e Veliajt u mbështet më pas nga këshilltarët socialistë në Këshillin Bashkiak, duke marrë edhe votat e opozitës.

Tashmë, sytë janë drejt Gjykatës Kushtetuese, e cila pritet të vendosë nëse vendimi i qeverisë për shkarkimin e Erion Veliajt do të mbetet në fuqi, apo nëse ai do të rikthehet ligjërisht në krye të Bashkisë së Tiranës.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese