Arben Cara, shefi i Shërbimit Zjarrfikës dhe kryepolici i Shqipërisë, Skënder Hita kanë folur nga vendngjarja në zonën e "5 Majit" në kryeqytet, ku prej më shumë se dy orësh një kullë banimi shumëkatëshe është përfshirë nga flakët.
"Është shumë shpejt për të folur për shkaqet, tashmë flakët i kemi nën kontroll dhe po punojmë në të gjitha drejtimet për vatrat që janë brenda apartamenteve. Tirana është angazhuar e gjitha. Jan mbi 50 zjarrfikës të Tiranës, ka nga Vora, nga Ushtria.
Ne kemi marrë njoftim nga Salla Operative e Policisë në orën 17:22 minuta (ora nuk është e qartë) dhe kemi bërë të mundur angazhimin e të gjitha forcave. Zjarri ka përfshirë të gjithë seksionin nga verilindja, nga kati i parë deri në të fundit", tha Cara.
Ndërkohë, kryepolici Skënder Hita konfirmoi se fatmirësisht deri tani nuk ka asnjë humbje jete, përveç dy qytetarë me shenja asfikësie dhe efektivë zjarrfikës me djegie të lehta. Ai theksoi se Policia e Shtetit ka indicjet e para për shkakun.
"Tani akoma s'kemi bërë bilancin përfundimtar të pasojave, nëse do ketë të tjera. Do kontrollojmë të gjitha ambientet pas stabilizimit të situatës. Në spital ka efektivë të zjarrfikëses, kemi komunikuar, kanë djegie të lehta.
Të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit janë angazhuar menjëherë sapo janë njoftuar. Janë vënë në gatishmëri repartet FNSH dhe RENEA për të hapur dyert e bllokuara. Deri tani nuk ka humbje jete, por nuk janë kontrolluar të gjitha apartamentet.
Po marrim kamerat e sigurisë, kemi indicjet tona, po kryejmë të gjitha veprimet hetimore. Në fund, nëse do të ketë përgjegjësi, patjetër do të ketë edhe masa", u shpreh Skënder Hita, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

