Është shënuar akti i parë i mosbindjes civile gjatë protestës së kësaj të hëne të lajmëruar nga opozita për të rrëzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama.
Burime për mediat bëjnë me dije se disa prej protestuesve të cilët janë mbledhur në bulevardin Dëshmorët e Kombit, i kanë vënë zjarrin një gome.
Përkatësisht, ngjarja është regjistruar para ambienteve të Presidencës ku protestuesit kanë djegur një gomë. Ndërhyrja e efektivëve ka qenë e menjëhershme të cilët me fikse zjarri kanë bërë të mundur neutralizimin e flakëve.
Ndërkohë, ndryshe nga protestat e kaluara, për protestën e kësaj të hëne nuk është dhënë asnjë detaj dhe nuk është zbuluar asnjë skenar nga Partia Demokratike. Ajo që vihet re është fakti se demokratët kanë “zbarkuar” në Tiranë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe janë shpërndarë në disa fronte.
Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara godinës së Kryeministrisë, aktualisht ka një numër të ulët të protestuesve. Ndërkohë, protestuesit e tjerë janë shpërndarë në pozicione të ndryshme në kryeqytet. Burime për mediat bëjnë me dije se një nga skenaret e opozitës është bllokimi i rrugëve kryesore të Tiranës, ndërkohë protestuesit e mbledhur para Kryeministrisë më pas do të zhvendosen drejt Bashkisë së Tiranës.