Prej 3 muajsh banorët e Rrjollit së bashku me qytetarë nga mbarë Shqipëria, vijojnë protestat e tyre duke kundërshtuar resortin turistik në tokat për të cilat ata shprehen të sigurt se janë në pronësi të tyre. Ndërsa theksojnë se ata janë në pritje të drejtësisë për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Në protestën e organizuar ditën e sotme, banorët e Rrjollit i kanë bërë kërkesë kryepolicit Hita. Banorët kërkojnë nga ky i fundit që të ndërtojë një komisariat në Rrjoll në mënyrë që ata të mos detyrohen të shkojnë deri në Shkodër.
Ndërsa më tej banorët theksojnë se Policia e Shtetit nuk duhet të sillet si të jenë roje private e të konfliktohen me ta.
"Thirrje për drejtorin e ri të Policisë. Zoti Hita shikojini arsyet se pse Policia e Shtetit të vijë këtu e të vihet në shërbim të një oligarku e të pozicionohet në Rrjoll. Bëni komisariatin këtu po deshët dhe e dimë qe e kemi komisariatin në Rrjoll nuk kemi nevojë të shkojmë në Shkodër. Nuk është normale që të vendosni në dispozicin forcat e policisë që të kthehen në roje private ndërkohë që ata paguhen me taksat e qytetarëve” tha banorja në një prononcim për mediat.
Lexo edhe:
Banorët e Rrjollit e jo vetëm, prej 3 muajsh protestojnë kundër resortit turistik “Blue Borgo” që pritet të ndërtohet në zonë.
Sipas tyre, tokat janë në pronësi të banorëve, ndaj ndërtimi i këtij resorti turistik është në kundërshtim me ligjin.
Nga ana tjetër, kompania ndërtuese “Gender 2” ka publikuar dokumente përmes së cilave dëshmohet se projekti në fjalë është në përputhje të plotë me ligjin.
Dokumentet e publikuara, banorët thonë se janë të manipuluara dhe ata po tentojnë kështu t’iu vjedhin tokat atyre.
Protestës në Rrjoll, nga fundi i marsit, i janë bashkuar dhe qytetarë nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë, duke rritur kështu numrin e protestuevse që kundërshtojnë projektin e resortit turistik.
