Në 90-vjetorin e lindjes së regjisorit shquar Mihal Luarasi, miku i tij i mirë, profesor Përparim Kabo e kujton përmes një letre prekëse.
Dy vite pas vdekjes së tij, Kabo thotë se dëshiron që ta telefononte dhe ta uronte për ditën e lindjes, por edhe të pinin sërish kafe në lokalin e tyre të preferuar.
Kabo nuk harron amanetin e Luarasit dhe i thotë se shpreson të vënë në skenë dramën “Vajza e Gjeneralit”, që duket se regjisorit i ka mbetur peng.
Gjithashtu profesori tregon se së bashku me miqtë do të mblidhen në një darkë për Mihal Luarasin, për të cilin thotë se ka shumë mall.
Letra e plotë e Kabos:
Sot ti mbushe 90 vjeç...do doja që si gjithmonë të të telefonoja të uroja dhe të dëgjoja zërin tënd të ëmbël dhe aq të ngrohtë…Nuk ndalem, po të them kujtim të gjatë mik…Që prej dy vjetësh feston ndoshta në panteonin e vlerave të kombit…Do jesh sot me Xhemal Brojën, me Vath Koreshin, me Spiro Çomorën, me Vangjush Furxhiun, me Pjetër Gjokën me Drita Pelinkun, me Serafin Fankun, me Naimi Frashërin dhe Kadri Roshin, me Bexhet Nelkun dhe Marie Logorecin, me Sulejman Pitarkën dhe Liza Laskën…me Fadil Paçramin dhe Kasem Trebeshinën, me Minush Jeron dhe Nikolla Zoraqin…me miq dhe kundërshtarë, do jenë dhe ata që të quajtën armik të popullit dhe të shpunë në burg për 8 vite…Atje të gjithë së bashku do kujtoni shumçka që jetuat, punët që bëtë dhe arritjet, sfidat dhe dështimet…por mbi të gjithë do thuhet prej frymëve të Panteonit se ju Mihal Luarasi ishit njeriu që u gatuat nga arti, ju përkushtuat teatrit, realizove ëndrrat dhe prite rrufetë e diktaturës me aq dinjitet në emër të lirsë dhe humanizmit…Regjizori që frikësoi diktaturën dhe diktatorin, që e bëri atë të humbte gjumin…Mihal Luarasu ai që e bëri artin një shpirt sulmues që u përpoq ta nxirrte njeriun nga izolimi, nga frika dhe nga heshtja e gjunjëzimit si i padinjitet…Sot këtu mbi tokë dhe ne të kujtojmë. Kemi shumë mall për ty, për gjithçka tënden, për mënçurinë tënde, për pathosin dhe artin, për kurajon dhe fjalën e lirë e të mençur, kemi nevojë për heroin tonë intelektual, për atë që e donte skenën dhe la atje gjithçka, frymëzimet, përkushtimin, jetën dhe amanetet. Do doja që edhe sot si në 70 vjetorin tënd të ishim bashkë të gjithë. Të kujtohet në hotel Heremit në Buda në Budapest…ajo natë me aq gëzim dhe gjallëri. Të ishim bashkë si në 80 vjetorin tënd kur u mblodhën në Hotel Tirana dhe ndamë aq shumë dashuri me të gjithë miqt e tu…Nuk arritëm dot te të 90-tat…Jam i sigurt që surpizën për këtë përvjetor në parajsë do të ta bëj Lilijana ime…Ajo do të mbledhi zambakë të bardhë nga liqenet e përjetësisë dhe do të t’i sjelli…Do çmalleni dhe do na kujtoni…do na dërgoni porosi dhe mesazhe me kodet që i njohim vetëm ne…!
Miki shtrënjtë Mihal…Jam marrë gjatë me pengun tënd…dramën “Vajza e Gjeneralit”…mbase do zoti e vëmë në skenë…Duam edhe të mblidhemi në një nga këto ditë për ty dhe me ty ne miqt e tu…Nëse ke ndonjë porosi për gjithçka që do të duhet të botohet pas ikjes tënde…më thuaj…gjithë ajo punë kolosale nuk mund dhe nuk duhet të flejë…Unë po ulem sot pasdite te lokali ynë i preferuar dhe po porosis dhe një kafe për ty…duke të pritur të vish me atë buzëqeshjen tënde për t’ia nisur bisedës atje ku e lame me temat…”Poezia ndryshon njeriun”. “Teatri e maturon njeriun”…”Dashuria i jep kuptim jetës së njeriut…!” Në darkë do vë pak Chopin dhe ashtu shtruar do të lexoj disa nga poezitë e fundit që lindën pasi ti ike nga kjo botë, që të donte edhe kur s’të kuptoi…dhe të kuptoi dhe kur nuk të donte,… veç as edhe një herë nuk të mundi dot…
Mik Mihal Mall…tre M-të që më kanë mbetur në lavjersin e kujtesës…
Miku yt me besë…
Përparim
16 shtator 2019 PKabo
