Paratë e vjedhura mesditën e sotme në mënyrë spektakolare në aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë, i përkasin “Raiffeisen Bank”.
Burime për Newsbomb.al bëjnë të ditur se është pikërisht banka më e madhe e nivelit të dytë në Shqipëri, ajo që ka rënë pre e kësaj grabitjeje.
I çuditshëm është fakti se përse një bankë e kësaj rëndësie transferon shuma të mëdha parash jashtë vendit me avion pasagjerësh dhe ndërkohë siguria e tyre, siç edhe ngjarja e sotme tregoi, lë shumë për të dëshiruar. Sipas të gjitha praktikave të rregullta, bankat e nivelit të dytë i lëvizin paratë nëpërmjet Bankës së Shqipërisë, madje shpesh herë nuk është fare i nevojshëm transporti fizik i parave drejt vendeve të tjera, por kryhen vetëm lëvizjet e dokumentave.
Mësohet gjithashtu se këto para ishin nisur drejt Austrisë, por se për çfarë arsye askush nuk mund ta thotë tani.
Ndonëse jo në mënyrë zyrtare, në media shkruhet se shuma e grabitur arrin në 2 milion euro.
Ndërkohë, kompania që kishte marrë përsipër transportimin e parave të Raiffeisen Bank ishte “Nazeri 2000”.
Lexo edhe:
Sekuestrohen pamjet e grabitjes në Rinas, policia identifikon një prej autorëve
Grabitja e parave në Rinas. Ja pamjet se si transportohen thasët në aeroport (Video)
