S’ka shpëtim përveçse riedukimit! Sot ishte hera e dytë e testimit për norma sjellje, për ata shkelës të rëndë të rregullave të qarkullimit që me aktet e reja në fuqi për të rifituar të drejtën e patentës duhet të regjistrohen nga e para në Autoshkollë e t’i rinënshtrohen testit teori-praktikë, thotë DPSHTRR.
Nga 18 persona të riregjistruar, u paraqitën vetëm 5 dhe që të 5-të u rrëzuan në testin e teorisë, çka i ridërgon ata nga e para në Autoshkollë për t’u ripërgatitur, dhe për t’u riparaqitur për testim brenda një afati 30 ditor (me vetëm 1 mundësi prove)!
Personat kishin marrë leje drejtimi për herë të parë në vitet: 1994, 2007, 2010, 2014 dhe 2019!
"I bëjmë thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve: respektoni normat e qarkullimit rrugor sepse nëse do t’i humbni të gjitha pikët, do të riktheheni në Autoshkollë dhe më pas nën monitorim të rreptë do të rifitoni patentën vetëm nëse nuk keni mbi 3 gabime në pyetësorin me 30 fjali si edhe nëse kaloni në testin e praktikës!
Këtë kohë, angari e kosto mund t’ia shmangni vetes duke u sjellë korrekt në timon e duke mos rrezikuar veten dhe të tjerët në rrugë! Ju jeni problemi dhe po ju jeni zgjidhja", njofton Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor.
