Oda e Avokatëve të Kosovës ka reaguar ashpër për shpërthimin me tritol të ndodhur në mesnatën e djeshme në shtëpinë e avokatit Betim Kadolli.
Në një reagim të bërë në faqen e tyre zyrtare të Facebook-ut kërkohen marrja e masave të ashpra për autorët e ngjarjes, të cilët i rrezikuan jetën avokatit dhe familjes së tij.
“Oda e Avokatëve të Kosovës kërkon nga organet e rendit dhe drejtësisë që këtë rast ta trajtojnë me prioritet absolut. Autorët, por edhe çdo person që mund të ketë nxitur, organizuar apo mbështetur këtë akt qyqar, duhet të identifikohen dhe të përballen me ligjin” theksohet në reagimin e tyre.
Po ashtu, Oda e Avokatëve sqaron se sulmet e kryera për shkak të profesionit, si në rastin konkret, është më shumë sesa një sulm personal, është një sulm kundër së drejtës.
“Nëse dikush beson se mund të frikësojë një avokat përmes dhunës, ai jo vetëm që nuk e kupton misionin e avokatit, por nuk e kupton as vetë shtetin e së drejtës. Avokati nuk është zëri i krimit dhe as pronar i çështjes që mbron. Ai është garantues i së drejtës kushtetuese të secilit qytetar për mbrojtje.
Prandaj, çdo sulm ndaj një avokati, për shkak të profesionit që ushtron, është më shumë sesa sulm ndaj një individi. Është sulm ndaj të drejtës për mbrojtje. Është sulm ndaj një profesioni të lirë e të pavarur. Është sulm ndaj vetë drejtësisë” shkruhet në reagim.
REAGIM I ODËS SË AVOKATËVE TË KOSOVËS
Hedhja e një mjeti shpërthyes në drejtim të shtëpisë së avokatit Betim Kadolli është një akt i rëndë kriminal që meriton dënimin më të fuqishëm.
Nuk ka asnjë kauzë, asnjë pakënaqësi dhe asnjë motiv që mund ta justifikojë terrorizimin e një familjeje në mes të natës. Të zgjosh nga gjumi fëmijë, gra e burra me zhurmën e një shpërthimi, në pragun e shtëpisë së tyre, nuk është shprehje force. Është shprehje e ligësisë, e pafuqisë dhe e përbuzjes ndaj rendit juridik.
Nëse dikush beson se mund të frikësojë një avokat përmes dhunës, ai jo vetëm që nuk e kupton misionin e avokatit, por nuk e kupton as vetë shtetin e së drejtës. Avokati nuk është zëri i krimit dhe as pronar i çështjes që mbron. Ai është garantues i së drejtës kushtetuese të secilit qytetar për mbrojtje.
Prandaj, çdo sulm ndaj një avokati, për shkak të profesionit që ushtron, është më shumë sesa sulm ndaj një individi. Është sulm ndaj të drejtës për mbrojtje. Është sulm ndaj një profesioni të lirë e të pavarur. Është sulm ndaj vetë drejtësisë.
Oda e Avokatëve të Kosovës kërkon nga organet e rendit dhe drejtësisë që këtë rast ta trajtojnë me prioritet absolut. Autorët, por edhe çdo person që mund të ketë nxitur, organizuar apo mbështetur këtë akt qyqar, duhet të identifikohen dhe të përballen me ligjin.
Sot solidarizohemi me kolegun tonë Betim Kadolli dhe familjen e tij. Nesër presim përgjigjen e shtetit sepse shteti nuk vihet në provë kur gjithçka është në rregull. Shteti vihet në provë kur dikush mendon se mund të zëvendësojë ligjin me eksploziv dhe drejtësinë me frikë.
Pikërisht në këto momente, heshtja nuk është maturi, heshtja është dorëzim.
