Policia italiane ka zbuluar një “bankë fantazmë” në zonën e Pratos, e cila dyshohet se përdorej nga organizata kriminale italiane dhe grupe të huaja, përfshirë edhe rrjete shqiptare, për pastrimin e parave të pista.
Sipas hetimeve, struktura funksiononte si një qendër financiare paralele për qarkullimin e fondeve që dyshohet se buronin nga trafiku i drogës, kontrabanda dhe trafikimi i qenieve njerëzore.
Sipas informacioneve paraprake, përmes këtij rrjeti qarkullonin mbi 100 milionë euro në vit. Paratë e përfituara nga aktivitetet e paligjshme futeshin në sistem si fonde të pista dhe më pas riqarkullonin si të ardhura të ligjshme biznesi.
Në kuadër të operacionit, autoritetet italiane kanë ekzekutuar 41 masa sigurie, prej të cilave 17 janë arrestime me burg. Në total, 57 persona janë nën hetim, mes tyre shtetas italianë, kinezë dhe shqiptarë.
Policia sekuestroi gjatë operacionit rreth 60 milionë euro, ndërsa hetimet vijojnë për rastin.
