Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka nxjerrë rezultatin e personave që kanë votuar për zgjedhjet parlamentare.
Sipas të dhënave të bëra me dije deri më tani rreth 40.04 % e qytetarëve janë drejtuar këtë të diel në kutitë e votimit, ose e përkthyer ndryshe kanë votuar 789 mijë e 172 qytetarë nga 1 milionë e 970 mijë e 944 banorë me të drejtë vote.
Theksojmë se në këto zgjedhje kanë marrë pjesë më pak qytetarë se në vitin 2021 ku kutive të votimit iu drejtua 48.78% e popullatës së Kosovës.
Ndërkohë tashmë ka nisur edhe numërimi i votave, teksa sipas mediave vendase mësohet se rezultatet e para të dalin pas orës 21:00.
E teksa exit-pollet kanë nxjerrë fitues në këto zgjedhje Albin Kurtin, nga ana tjetër Ramush Haradinaj është shprehur optimist duke thënë se opozita ka fituar këto zgjedhje.
Në një konferencë për mediat ai tha se ka informacione se rezultati i AAK-së është dy-shifror, rrjedhimisht mbi 10%.
“Opozita i ka fituar zgjedhjet edhe pres me padurim të bashkëpunojmë për krijimin e qeverisë së opozitës. Na vjen mirë që mundi ynë ka rezultuar me fitoren e opozitës. Opozita krijon shumicë solde dhe i jep Kosovës qeveri të qëndrueshme. Besoj se kjo do të ndodh”, shtoi ai.

